Presidenti i ShBA-së, Donald Trump u tall të enjten me kandidatin demokrat për president, Joe Biden për vendosjen e një maske në fytyrë edhe pasi ShBA-ja vazhdon të udhëheqë botën me rastet e coronavirusit, me më shumë se gjashtë milionë infeksione.
Duke folur para një turme kryesisht pa maska në Pensilvani, Trump pyeti mbështetësit nëse ata e njohin “një njeri që i pëlqen një maskë aq shumë” sa Biden.
“Kjo i jep atij një ndjenjë sigurie,” tha Presidenti. “Nëse do të isha psikiatër, do të thosha që ky djalë ka disa probleme të mëdha”, transmeton Telegrafi.
Komentet e Trumpit, të cilat erdhën një ditë pasi SHBA-ja kaloi 185 mijë vdekje shkaku i COVID-19, bien ndesh me këshillat e ekspertëve të shëndetit publik, të cilët kanë theksuar rëndësinë e mbulimit të fytyrës mes rihapjes së vendit, duke pasur parasysh që njerëzit pa simptoma mund të transmetojnë pa e ditur virusin.
Maskat kryesisht janë për të parandaluar që njerëzit që kanë virusin të infektojnë të tjerët.
Ndryshe, kujtojmë se zgjedhjet për presidentin e ri amerikan do të mbahet më 3 nëntor (e martë).