Presidenti amerikan Donald Trump, po flet me krenari “për një fitore shumë të madhe” në zgjedhjet për kongres, pasi republikanët forcuan pozitat e tyre në kontrollin e Senatit edhe pse demokratët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve për herë të parë pas tetë vitesh.
“Ata që kanë punuar me mua në këto zgjedhje të jashtëzakonshme, ata të cilët përqafuan disa politika dhe parime, dolën shumë mirë”, shkruante Trumpi në një postim në Twitter të mërkurën përpara konferencës të paralajmëruar për shtyp në Shtëpinë e Bardhë lidhur me zgjedhjet.
“Ata që nuk e bënë këtë, thanë lamtumirë! Dje u shënua një fitore shumë e madhe dhe nën presionin e një medie armiqësore e të ligë”, shkroi më tej ai, shkruan VOA.
Presidenti i SHBA-së, po ashtu paralajmëroi demokratët të mos përdorin shumicën e re të tyre në Dhomën e Përfaqësuesve për të nisur hetime kundër administratës së tij.
Në llogarinë e tij të Twitter, Trump shkroi se nëse ata e bëjnë këtë, atëherë Senati, i kontrolluar nga republikanët, mund të nisë hetime kundër demokratëve, raporton AP.
Rezultatet e bëjnë më të vështirë për Trumpin të marrë miratim për iniciativat e tij legjislative. Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve gjithashtu kanë premtuar se do të nisin hetime të shumta lidhur me financat e Trumpit dhe politikat e administratës së tij, të cilat udhëheqësi amerikan tha se do të marrin të njëjtën përgjigje me hetime që do të zhvillohen nga Senati për Demokratët.
Trump e telefonoi udhëheqësen e Partisë Demokrate Nancy Pelosi për ta uruar për fitoren e arritur në Dhomën e Përfaqësuesve. Ai tha se ligjvënësit demokratë, disa prej të cilëve kanë thënë se partia ka nevojë për udhëheqje të re, duhet ta bëjnë atë përsëri kryetare të Dhomës.