Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka deklaruar se homologu i tij rus, Vladimir Putin “me gjasë është një person i pamëshirshëm”.
Këto komente Trump i ka bërë në një intervistë për Daily Mail, që është publikuar më 14 korrik. Aty Trump ka thënë se ka qëllim që të rikandidojë për president në zgjedhjet e vitit 2020.
Trump dhe Putin janë paraparë që të takohen në një samit në Helsinki më 16 korrik, transmeton rel.
Pasi gazetari Piers Morgan, e ka përshkruar liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un si “diktator të pamëshirshëm”, Trump është pajtuar me të dhe ka thënë se ai përballet me shumë liderë që janë “njerëz mjaft të pamëshirshëm”.
I pyetur nëse ai e konsideron Putinin si të pamëshirshëm, Trump u shpreh : “Nuk mund ta them një gjë të tillë… supozoj se ndoshta është, por unë mund t’i përmend edhe të tjerët. Nuk e njoh (Putinin), e kam takuar disa herë. E takova edhe në takimin e G20-s”.
“Besoj se ne mund t’ia kalojmë mirë”, shtoi Trump, duke iu referuar samitit të paraparë që ka me Putinin.
“Dikush tha a jeni miq apo armiq? Unë thash, është herët për ta thënë, por tash për tash unë them se jemi kundërshtarë”, ka thënë Trump.