Një tjetër zyrtar i lartë ushtarak ka qortuar presidentin e SHBA-së Donald Trump, për kërcënimet se do të përdorë ushtrinë për të shtypur protestat e vazhdueshme në SHBA.
Gjenerali Martin Dempsey, ish-kryetari i Joint Chiefs of Staff, grup i përberë nga gjeneralë të lartë të cilët e këshillojnë Presidentin dhe Ministrinë e Mbrojtjes për çështje ushtarake, tha për Radion Kombëtare Publike se komentet e Trumpit ishin “shumë shqetësuese” dhe të “rrezikshme”, ka raportuar BBC-ja të premten.
Edhe sekretarët e sigurisë të presidentit Trump dhe ata të administratave të kaluara kanë ngritur zërin gjithashtu.
Të hënën e kaluar, presidenti kërcënoi se do të nxjerrë ushtrinë “për të zgjidhur shpejtë” trazirat nëse shtetet nuk veprojnë, transmeton KOHA.
Protestat, kryesisht paqësore, po mbahen nëpër të gjithë SHBA-në që nga vdekja e afro-amerikanit George Floyd. Ai vdiq pasi një polic e arrestoi dhe ia mbajti gjurin mbi qafë.
Edhe pse demonstratat për shkak të vdekjes së Floydit duket se janë duke u qetësuar në kryeqytetin e SHBA-së, perimetri i sigurisë në Shtëpinë e Bardë është duke u zgjeruar edhe më shumë ditëve te fundit.
“Ideja që presidenti do të marrë nën kontroll situatën duke përdorur ushtrinë, më trazoi”, tha Gen Dempsey të enjten. “Ideja që ushtria do të thirret që të dominon dhe të shtypë protestat që në shumicën e rasteve ishin paqësore, edhe pse disa prej tyre u shndërruan në të dhunshme dhe se ushtria do të vijë dhe ta qetësojë situatën ishte shumë e rrezikshme për mua”.
Gjenerali Dempsey shërbeu si zyrtari më i lartë ushtarak i SHBA-së nën udhëheqjen e ish-presidentit Barack Obama, nga viti 2011-2015.
Kritikat e tij erdhën një ditë pasi që ish-gjenerali i marinsave, Jim Mattis, njëherësh edhe ish-sekretar i mbrojtjes i presidentit Trump, e denoncoi atë, duke thënë se me qëllim po krijon përçarje.
“Donald Trump është presidenti i parë në jetën time, i cili nuk përpiqet të bashkojë popullin, e as nuk bëhet kinse është duke u përpjekur”, tha Z. Mattis për revistën Atlantic. “Në vend të kësaj, ai po përpiqet që të na përçanë”.
Të njëjtën ditë, edhe sekretari i tashëm i mbrojtjes Mark Esper, ka ngritur zërin, duke thënë se përdorja e forcës ushtarake për të shtypur protestat është e panevojshme në këtë moment, komente të cilat nuk i pëlqyen Shtëpisë së Bardhë.