Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar një rezolutë jo detyruese për t’i kufizuar presidentit amerikan, Donald Trump mundësinë për të nisur intervenim ushtarak kundër Iranit.
Rezoluta është miratuar në Dhomën e udhëhequr nga demokratët, ku shumë ligjvënës dyshojnë në juridiksionin e Shtëpisë së Bardhë për kryerjen e vrasjes së komandatit të forcave elite iraniane, Qasem Soleimani.
Tre republikanë kanë votuar në të mirë të kësaj mase, derisa tetë demokratë e kanë kundërshtuar atë.
Rezoluta e miratuar i kërkon presidentit Trump “të ndalojë shfrytëzimin e Forcave të Armatosura të SHBA-së për përfshirje në armiqësi kundër Iranit”.
Ajo po ashtu i kërkon presidentit që të “konsultohet me Kongresin në secilin hap para se të angazhojë” ushtrinë në armiqësi me Iranin.
Dokumenti përmend edhe se ushtria mund të angazhohet kundër Iranit, nëse Kongresi shpall luftë.
Disa orë para votimit, Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ka thënë se nuk beson që administrata e Trumpit e ka bërë më të sigurt SHBA-në, duke vrarë Soleimanin.
Edhe presidenti Trump ka reaguar para votimit, duke thënë se shpreson që “republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve do të votojnë kundër Rezolutës së çmendur të Nancy Pelosit për fuqitë e luftës”.
Më 3 janar, gjenerali iranian, Qasem Soleimani është vrarë nga një sulm amerikan me dron në Bagdad, duke rritur shqetësimet për konflikt në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Soleimani, 62-vjeçar, që ka ndihmuar në orkestrimin e operacioneve ushtarake të Iranit jashtë shtetit, është shpallur terrorist nga SHBA-ja.
Në përgjigje ndaj vrasjes së komandantit iranian, Irani ka nisur sulme me raketa në dy baza amerikane në Irak.
Trump ka thënë se asnjë ushtar amerikan nuk ka vdekur si pasojë e këtij sulmi dhe duket se Teherani “po tërhiqet”, pas sulmit.
Ai po ashtu nuk ka përmendur asnjë veprim ushtarak kundër këtij shteti.