Trupat ruse hyjnë në qytetin Kharkiv – vazhdon beteja për Kievin

Prishtinë | 27 Shk 2022 | 09:44 | Nga Ekonomia Online

Në ditën e katërt të luftës Rusi-Ukrainë, trupat ruse kanë hyrë në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv në veri-lindje, thonë zyrtarët lokalë.

Ndërkohë sirenat e sulmit ajror kanë rënë në Kiev këtë mëngjes dhe është dëgjuar një shpërthim, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Banorët e kryeqytetit ukrainas po strehohen nën tokë, me një shtetrrethim deri të hënën në mëngjes.

Një numër i madh njerëzish vazhdojnë të ikin nga Ukraina për në vendet fqinje si: Polonia dhe Moldavia.

Vendet perëndimore thonë se do të heqin disa banka ruse nga rrjeti Swift, duke i shkëputur ato nga sistemi financiar ndërkombëtar.

SHBA, Gjermania dhe Holanda po dërgojnë më shumë armë për të ndihmuar përpjekjet luftarake të Ukrainës.

Më poshtë gjeni zhvillimet minutë pas minute nga lufta në Ukrainë:

08:44 – Delegacioni rus thotë se janë gati për bisedime me Ukrainën në Bjellorusi

Delegacioni rus thuhet se ka mbërritur në Bjellorusi për bisedime me ukrainasit, u tha gazetarëve zëdhënësi presidencial Dmitry Peskov, sipas agjencisë ruse të lajmeve RIA Novosti.

Sipas tij, delegacioni përfshinte përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe departamenteve të tjera, përfshirë administratën presidenciale.

“Delegacioni rus është gati për bisedime dhe ne tani jemi duke pritur për ukrainasit”, tha Peskov.

Ministria e Jashtme e Bjellorusisë tha se kishte përgatitur gjithçka të nevojshme për takimin dhe tani ishte e angazhuar në zgjidhjen e çështjeve të protokollit.

08:29 – Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës: Bota nuk besonte se ne do të rezistonim kështu

Ndërsa ukrainasit zgjohen në ditën e katërt të konfliktit, ministri i Mbrojtjes i vendit, Oleksii Reznikov, po i kërkon botës të forcojë mbështetjen e saj për Ukrainën.

Oleksii Reznikov thotë se “72 orë rezistencë” e vendit i ka dëshmuar botës se është e mundur të zmbrapset agresioni rus.

“72 orë rezistencë! Bota nuk besoi. Bota dyshoi. Por ne nuk qëndruam vetëm në këmbë, ne vazhdojmë me besim të luftojmë me pushtuesin rus!I treguam botës – mos kini frikë 🇷🇺, jini të fortë dhe zmbrapseni! Mbështetja e 🇺🇦 duhet të jetë më e fortë! Siguria juaj varet nga ne!”, ka shkruar Reznikov në Twitter.

08:20 – Ukraina u kërkon vullnetarëve të huaj të ndihmojnë

Nga Kievi thuhet se po krijon një legjion “ndërkombëtar” për të huajt që dëshirojnë të dalin vullnetarë në mbështetje të Ukrainës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky këtë e quajti si provë kryesore të mbështetjes për Ukrainën, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

“Kjo do të jetë prova kryesore e mbështetjes suaj për vendin tonë”, u shpreh ai.

07:53 – Kievi zgjohet nën paralajmërimet për sulme ajrore

Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, mëngjesin e së dielës është zgjuar nën sirenat e paralajmërimeve për sulme ajrore.

The Kyiv Independent tha se qytetarëve u është sugjeruar që të shkojnë në strehën më të afërt.

Kujtojmë se Kievi vazhdon të jetë nën kontrollin e forcave ukrainase teksa nënkryetari i Kievit tha se gjatë natës pati përleshje.

07:29 – Trupat ruse hyjnë në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës

Trupat ruse kanë hyrë në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv.

Kështu ka bërë të ditur një këshilltar i ministrit të brendshëm të Ukrainës, raporton The Guardian.

Në një deklaratë në llogarinë e tij zyrtare në Telegram, Anton Gerashchenko tha se ka pasur luftime në qendër të qytetit dhe në zonën e Hidroparkut.

“Një grup i forcave speciale të Federatës Ruse sapo ka hyrë në qytet përmes Alekseevk”, tha Gerashchenko.

07:14 – Në ditën e katërt të luftimeve, raportohet për një gjashtë vjeçar të vrarë

Këtë të diel janë bërë katër ditë prej se kur forcat ruse shkelen në tokën ukrainase.

Ndërsa, siç raporton CNN, natën e së shtunës, rusët kanë vrarë një djalë gjashtë vjeçar dhe plagosën disa të tjerë.

Referuar shërbimit shtetëror të emergjencave të Ukrainës, një ndërtesë nëntëkatëshe në qytetin e Kharkivit është goditur nga forcat ruse, ku një grua mbeti e vrarë.

Gjithashtu, gjatë natës së mbrëmshme dy shpërthime të mëdha kanë ndriçuar qiellin.

Njëri ka qenë në qytetin Vasylkiv, qytet ky i cili ka një aeroport të madh ushtarak dhe pompa të shumta derivatesh.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme bankat ruse janë përjashtuar nga SËIFT-i, ku kjo u mbështet nga ShBA-të, Komisioni Evropian, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja të cilat thanë se e mbështesin dëbimin e disa bankave ruse nga rrjeti i sigurisë së lartë që lidh mijëra institucione financiare rreth botës.

Të ngjashme