Trupi gjykues-mbrojtjes: Nuk keni qenë efikas në kundërpyetje, 48 orë të kërkuara s’i keni shfrytëzuar

Prishtinë | 27 Maj 2024 | 17:59 | Nga Ekonomia Online


Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III në konferencën për ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Kransiqit, kritikoi mbrojtjen e të akuzuarve për mosefikasitet në kundërpyetjet e tyre.

“Kemi parashtruar faktin këtu që edhe ju keni kërkuar kohë shumë të madhe edhe Prokuroria i ka përllogaritur dëshmitarët në bazë të përllogaritjes kohore që kishit bërë ju, e që ishte e tepërt. Edhe ju nuk keni reduktuar kundërpyetjet dhe nuk keni qenë efikas në kundërpyetjet tuaja dhe kohët e fundit keni parë dokumente nga sekretaria mbase edhe s’i keni parë, dy blloqet e fundit që kemi pasur me dëshmitarët- gjashtë javë gjykim në total mbrojtja e Veselit, nuk po e marr sipas rendit, por mbrojtja eVeselit ka kërkuar 11 orë e 15 minuta për kundërpyetjet, ndërkohë që ka përdorur vetëm 3 orë e 5 minuta dhe do të thotë që kishte kërkuar pothuajse tetë orë ekstra”, tha Charles Smith III.

Sipas tij, mbrojtja e viktimave ka qenë më e kujdesshme në kohën që e ka kërkuar për kundërpyetjet e veta, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Mbrojtja e Selimit kishte kërkuar për kundërpyetjet 16 orë e 20 minuta dhe ka përdorur në të vërtetë 5 orë e 28 minuta. Çka do të thotë që kishte kërkuar 10 orë ekstra. Mbrojtja e Krasniqit ka kërkuar 14 orë për kundërpyetjet dhe ka përdorur në të vërtetë tre orë e 28 minuta, çka do të thotë që ka llogaritur ekstra rreth 10 orë. Mbrojtja e Thaçit kishte kërkuar për kundërpyetjet e veta 26 orë e 30 minuta dhe ka përdorur në të vërtetë 13 orë e 35 minuta kundërpyetje, çka do të thotë ka kërkuar rreth 13 orë ekstra. Nuk po hyj në thellësi për mbrojtësin e viktimave se mbrojtësi i viktimave ka qenë shumë i kujdesshëm me kohën që kishte kërkuar”, tha gjyqtari.

Ai gjithashtu theksoi se në total gjatë kësaj periudhe janë 48 orë të pashfrytëzuara dhe kjo gjë sipas tij është problem.

“ZPS-ja kishte kërkuar pesë orë e 44 minuta. Tani ky është nga statistikat e TNJAGJ-së. Çka do të thotë që kanë qenë 48 orë që ishin kërkuar e që nuk janë shfrytëzuar dhe kjo nuk na ka lejuar ne të thërrasim dëshmitarë që kishim mundur t’i thërrisnim në të vërtetë sepse shin parashikuar këto për kundërpyetjet që në fakt nuk u realizuan. Vërtetë që keni thënë ju të gjithë që do të reduktoni pak kohën që kishit kërkuar fillimisht, por këtë nuk mund ta bëni pak minuta para se të filloni kundërpyetjet. Kjo nuk na ndihmon ne. Është e rëndësishme që ta jepni llogaritjen goxha paraprakisht…48 orë që nuk janë shfrytëzuar përkthehen në 9 ditë sallë gjyqi që nuk është përdorur. Ky është një problem dhe do të vijojë të jetë një problem”, tha gjyqtari.

Pas kësaj, avokati i Thaçit, Luka Mishetiq tha se shpresojnë që përllogaritjet e tyre të jenë më realiste, por që sipas tij nuk i kanë çuar nëntë ditë dëm. Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues tha se nëse jo nëntë ditë, është e sigurt për dy ditë të humbura, me të cilën u pajtua Mishetiq.

Tutje, Mishetiq tha se propozon që ZPS-ja t’i ketë çdo herë gati dëshmitarët për çka kryegjykatësi tha se ZPS-ja i bën përllogaritjet kohore për dëshmitarët në bazë të kohës që ka ndarë edhe mbrojtja.

Të ngjashme