“Trupi im nuk është tabu”, Konferencë e cila synon zbutjen e varfërisë menstruale

Prishtinë | 28 Maj 2024 | 11:39 | Nga Flutura Sogonjeva Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nën moton” Trupi im nuk është tabu” është mbajtur Konferenca regjionale për higjienën menstruale” në kuadër të projektit “Our bodies are not a taboo. Period” zbatuar nga EcoKosWomen, raporton Ekonomia Online.

Drejtoresha ekzekutive e kësaj organizate, Magbule Hyseni tha se kjo ngjarje është e ndërlidhur me 28 majin, ditën ndërkombëtare të higjienës menstruale, si promovim i njohjes së rëndësisë rreth menstruacioneve dhe thyerjeve të tabuve e miteve rreth saj.

Hyseni falënderoi Ambasadën franceze në Kosovë, duke thënë se janë shenjë shprese drejt kësaj dukurie. Tutje ajo bëri të ditur se qëllimi i kësaj konference dhe aktiviteteve është zbutja e varfërisë menstruale në Kosovë, me projekte të kushtuara enkas për to. Hyseni përmendi taksat e larta mbi produktet higjienike duke thënë se mitet mbi shëndetin menstrual duhet luftuar.

Ajo bëri të ditur se organizata e tyre ka bërë sesione ndërgjegjësimi në 20 shkolla me ku janë furnizuar me 2800 pako.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se raportet e ndryshme ndërkombëtare tregojnë se 55% e grave në botë janë të lira të vendosin rreth autonomisë së trupit. Deri sa ka theksuar se në Kosovë ka raste të shumta kur të tjerët vendosin për gratë e vajzat.

“Të jesh i lirë do të thotë të kesh autonomi mbi trupin tënd e në Kosovë kemi raste kur këto raste kalojnë në heshtje. Mos tolero nga askush, raportet e ndryshme ndërkombëtare tregojnë se 55% e grave në botë janë të lira të vendosin rreth autonomisë së trupit. Në Kosovë kemi raste të shumta kur te tjerët vendosin për gratë e vajzat në Kosovë. Duhet të kemi angazhim të përditshëm në mënyrë që në Kosovë çdo grua të marrë vendim rreth trupit të saj. Respektimi autonomisë së trupit është etik e kjo përfshin vendime për trupin dhe shëndetin e tyre. Qeveria e Kosovës ka nisur iniciativa për të rritur vlerën e barazisë gjinore. Po i përmend disa aspekte: janë zbatuar fushatat për normat e barazisë gjinore, synojmë të zhdukim nocionin një gjinie”, ka thënë Haxhiu.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci është shprehur e krenare që sipas saj Kosova po u jep zë temave të tilla. Ajo ka theksuar se Edukimi seksual realizohet në lëndën e shkencës së natyrës e  edukatës fizike, në harmoni me nivelin psikofizik të nxënësve.

“Jam krenare të shoh se Kosova po u jep zë temave që japin aspekt qenësor pra grave e vajzave, shëndetit seksual. Është aspekt i jetës që duhet të marrë. Në shkollat e vendit tonë, përgatitja e nxënësve për një jetë të sigurte shihet tek edukimi seksual gjithëpërfshirës, synon vlerat që mundëson koncepte të shëndosha për veten dhe tjetrin. Edukimi seksual realizohet në lëndën e shkencës së natyrës, edukatës fizike, në harmoni me nivelin psikofizik të nxënësve. Janë hartuar tre doracakë ndihmës të emëruar “Edukimi seksual dhe shëndeti ripordhues”, kemi hartuar një doracak për fëmijët me aftësi të kufizuar, kemi trajnuar mësimdhënës me qëllim që të jenë kompetentë me tema të trajtuara me përgjegjësi. Kemi hartuar udhëzues të veçantë për higjienë në shkolla që për herë të parë do bëj shpërndarjen e pakove higjienike nëpër shkolla dhe jemi në proces të furnizimit”, ka thënë Nagavci.

Edhe Ambasadori francez në Kosovës, Olivier Guerot tha se ka një përmirësim drejt rritjes së vetëdijes ndaj higjienës menstruale.

“Në ketë ditë ndërkombëtare të higjienës menstruale jam i kënaqur të shoh implementimin e projektit “Trupi im nuk është tabu”, drejt rritjes së ndërgjegjësimit”, ka thënë ai.

Të ngjashme