Nën brohoritjet “Trusti është i yni, jo i Qeverisë”, një grup i punëtorëve të Korporatës së Energjisë Elektrike (KEK), kanë protestuar me kërkesë votimin e Projektligjit të Trustit Pensional, raporton Ekonomia Online.
Dhjetëra punëtorë të KEK-ut kanë protestuar sot me kërkesën për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti.
Kryetari i Sindikatës së KEK-ut, Nexhat Lluminca, tha se gjendja ekonomike në vend është e vështirë, andaj imponohet edhe kërkesa për tërheqjen e kursimeve.
“I lus gjithë deputetët e popullit të votojnë për popullin në këto ditë të vështira”.
Llumnica ka shprehur përkrahjen edhe për veteranët e luftës së UÇK-së, të cilët po ashtu po protestojnë sot para Kuvendit të Kosovës, me kërkesë që të mos përjashtohen nga rritja e pagës minimale.
“Nuk mund të ndahemi nga kategoria më e rëndësishme në periudhën historike. Punëtorët e KEK-ut ju mbështesin sepse pa juve nuk do të mund të kishim liri dhe pavarësi. Ne solidarizohemi dhe ju mbështesim fuqishëm. Mbështetjen tonë do ta keni gjithherë”, u tha Llumnica veteranëve të UÇK-së.
Pjesëmarrës në këtë protestë ishin edhe zyrtarë të BSPK-së, të cilët kërkuan tërheqjen e Trustit.
Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili ka iniciuar këtë projektligj, ftoi gjithë deputetët e tjerë të mbështesin këtë nismë.