Pandemia ka krijuar krizë për tregjet financiare globale. Kriza është duke i prekur edhe paratë e taksapaguesve të Kosovës që po ruhen në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.
E kjo ka bërë që bordi drejtues në Trust, të marrë vendime të shpejta, duke ndryshuar përbërjen e investimeve duke i larguar investimet nga instrumentet me risk të lartë që janë kryesisht aksionet, për t’u fokusuar në instrumentin me risk shumë të ulët.
Zëdhënësi i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust), Jeton Demi, ka thënë për Ekonomia Online, se shkuarja nga strategjia me risk të ulët do të sjellë më pak investime.
“Qysh në fillim të pandemisë jemi prekur nga kriza e Kinës dhe kemi pasur rënie të kthimit nga investimet dhe bordi drejtues ka marrë vendime të shpejta duke ndryshuar përbërjen e investimeve dhe duke i larguar investimet nga instrumentet me risk të lartë që janë kryesisht aksionet dhe kemi shkuar nga një strategji me risk shumë të ulët, gjë që do të sjellë kthim nga investimet më të pakët, por së paku do të mbrohemi osilimet e forta”.
“Andaj përkundër se nuk ishte i parashikueshëm, mund të them se jemi në pozitë të kënaqshëm duke qenë rreth 1 për qind kthimi nga investimet për këtë vit. Nuk është diçka që donim, por në kushtet aktuale kur kemi me gjithë mendje bllokim të ndjeshëm të ekonomisë dhe rritja ekonomike pritet të jetë negative pra do të kemi vështirësi edhe me punësime për t’u kthyer në nivelin ku kemi qenë. Për momentin duke jo keq nga prizmi që ne e shohim, mund të themi se jemi mbajtur në nivelin e kënaqshëm dhe të parashikuar por frika ekziston se çfarë do të ndodh”.
Teksa ka folur për rrezikun e përballjes me COVID-19, Demi thotë se Kosova vazhdon të jetë në rrezik për rënie ekonomike.
“Ne i ekspozojmë rrezikut sikurse gjithë bota, sidomos vendet që janë anëtare të Organizatës për Zhvillimit (OJCD) edhe tani gjithsesi ne do të jemi të prekur dhe do të jemi nën rrezik të kësaj gjendje ekonomike, por po themi se deri më tani mund të them që ia kemi dalë mirë dhe kënaqshëm për të mos pësuar rënie dhe duke pasur kujdesin në kohë që është marrë nga bordi drejtues për t’iu ikur rënieve të forta nga ekspozimi në instrumente me risk të lartë”, ka thënë Demi për EO.
Demi ka thënë se aktualisht Trusti ka 30 për qind investime në Kosovë, që sipas tij, i jep mundësinë për ta menaxhuar më lehtë riskun e lëvizjeve të shpejta.
Madje, sipas tij, mungesa e riskut nuk të sjellë mundësinë për të pasur rritje të mjeteve të investuara në Kosovë.
“Gjithsesi fakti që ne çdo vit po investojmë më shumë në Kosovë dhe aktualisht i kemi 30 për qind të investimeve brenda vendit, na jep mundësinë për të menaxhuar më lehtë edhe më mirë riskun e lëvizjeve të shpejta por kjo pastaj e ka koston tjetër që mungesa e riskut nuk të sjellë edhe mundësinë për të pasur rritje të mjeteve të investuara”, tha ai.