(E plotësuar) Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës ka hedhur poshtë iniciativën për tërheqjen e një pjese të mjeteve nga Trusti, në mbledhjen e mbajtur sot, raporton Ekonomia Online.
Pesë anëtarë votuan për dhe pesë kundër propozimit të iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërkaq një anëtare, Duda Balje nga Grupi Parlamentar 6+, abstenoi.
Në Kuvend, projektligji do të shqyrtohet pa aprovim të Komisionit apo Qeverisë.
“Jemi pesë me pesë dhe një abstenim”, tha kryesuesi i komisionit, deputeti i shumicës qeverisëse, Armend Muja. “Ky propozim nuk e ka marrë miratimin e komisionit”.
Përfaqësuesit e shumicës qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër miratimit të rekomandimit për iniciativën, ndërkaq pesë anëtarët e opozitës votuan pro.
Në mbledhjen e sotme të komisionit, mori pjesë edhe deputeti që inicioi propozimet për ndryshimet ligjore në Ligjin për Fondet Pensionale, Bekim Haxhiu i Partisë Demokratike të Kosovës.
Bekim Haxhiu prezanton Projektligjin për Trustin që mundëson tërheqjen nga 10 deri në 30% të kursimeve
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së ka propozuar Projektligjin për Trustin në Komisionin për Buxhet dhe Transfere.
“Në emër të GP të PDK-së në cilësinë e propozuesit të Projketligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, ne kemi propozuar Projektligjin për Trustin. Ky projektligj është dërguar për mendim në qeveri dhe u është shpërndarë deputetëve. Të nderuar anëtarë qytetarët e Kosovës janë duke u përballur me krizë ekonomike andaj kemi iniciuar ndryshimin e Ligjit për Trustin që qytetarëve t’u mundësohet tërheqja nga 10 deri në 30 përqind”, ka thënë Haxhiu.
Deputeti i PDK-së, tutje ka bërë të ditur se në këtë Projektligj rregullohet përqindja e tërheqjes së mjeteve varësisht nga kursimet që kanë qytetarët në Trust.
“Në nenin 1, saktësohet qëllimi, ky ligj u krijon pjesëmarrëvese të Trusit tërheqja nga 10 deri në 30 për qind. Në nenin 12a, pjesëmarrësit mund të tërheqin 10 deri në 30% sipas përshkrimit në vijim: Personat që kanë më pak se 10 mijë euro kanë të drejtë të tërheqin deri në 30% të të hyrave. Personat që kanë kursime pensionale nga 10 mijë deri në 19 mijë e 999 euro kanë të drejt të tërheqin 25% kurse ata që kanë nga 30 mijë deri në 39 mijë e 999 euro, kanë të drejtë të tërheqin deri 20%”, tha Haxhiu.
Pro këtij Projektligji janë shprehur edhe dy partitë tjera opozitare, LDK dhe AAK.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se kërkesa për tërheqje të mjeteve nga Trusti pensional, është shkaku i inflacionit dhe se nuk do të ketë ndikim në buxhetin e shtetit.
“Kur e ka propozuar z. Haxhiu unë nuk kam qenë menjëherë mbështetës i saj. Unë kam prit se përmes veprimeve të Qeverisë nuk do të jetë e nevojshme për tërheqje të trustit. Norma mesatare e inflacionit është 11 për qind ndërsa në shportën e konsumatorit është 50 për qind. Vendimi për subvencionimin e bujqve ka qenë shumë i mirë mirëpo mjetet ende nuk kanë shkuar tek bujqit. Ka filluar debati për pagën minimale mirëpo ende nuk është bërë asgjë. Ka qenë një propozim tjetër i neve si parlamentar vetëm për çmimet e naftës mirëpo nuk është marr asnjë veprim. Ne e mbështesim plotësisht këtë projektligj”, tha Hoti.
“Ky projektligj do të ndikojë në buxhetin e Qeverisë 13.5 milionë euro kur thuhet në vendimin e Qeverisë kjo është anomali. Nuk ndikohet fare buxheti i Kosovës për këtë tërheqje”, tha Hoti.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se nuk pajton me opinionin e Qeverisë që apriori të deklarohet se nuk e mbështet këtë, derisa sipas tij, është kompetencë ekskluzive e Kuvendit.
Sipas tij, është e pavend dhe ngutshme sepse bije ndesh me mendimin e Qeverisë.
“Kam menduar që Qeveria do të na japë këshilla e sugjerime por jo apriori të ndikojë mbi Parlamentin e Kosovës. Dua të ju bëj thirrje qe të shkoni përtej petkut politik përtej subjektit tuaj, ta leni krenarinë dhe inatin anash dhe të fokusohemi bashkërisht tek e mira e përbashkët që është qytetari. Nuk po e them për politikë por po e them qe e kuptojmë këtë çështje të ndjeshme e dimë që nuk është metoda më e mirë por derisa kemi një krizë ekonomike qeveria është për të zgjidhur çështjet e qytetarëve. Duhet të tejkaloni inatet dhe të vendosni në të mirën e qytetarëve. Vota ime dhe e Aleancës është pro duke u bazuar në këtë që e thashë”, ka thënë ai.
Deputetja Duda Balje ka thënë se Grupi Multietnik të martën ka pasur deri vonë një takim porse nuk kanë arritur një dakordim për shkak të qëndrimeve të ndryshme.
Ajo ka thënë se abstenon.
Kryetari i Komisionit, Armend Muja ka paraqitur arsyet për të cilat ai ka thënë se janë kundër tërheqjes së Trustit.
Muja ka thënë se nuk mbahet mend një praktikë e tillë të ketë ndodhur në botë apo në Evropë, në rrethana kur vendi është në gjendje të rëndë ekonomike.
Ai ka thënë se me tërheqjen e Trustit nuk ndihmohen shtresat e varfra, por të pasurit.
“Nuk ka të bëjë asgjë me inate personale. Në vitin 2020 është miratuar Ligji për Rimëkëmbje ekonomike për tërheqjen e rreth 200 milionë eurove nga kursimet pensionale. Janë tërhequr mbi 200 milionë euro. Po fals sa i përket praktikës. Trusti Pensional dhe Kursimi është obligim, nuk është opsionale. Nuk mbaj mend në Evropë ose dikund në botë që pa marrë parasysh shkallën ekonomike të jenë drejtuar Trustit për ta zgjedhur këtë skemë, nuk janë prekur kursimet pensionale”, u shpreh Muja në Komision.
“Do ta kundërshtoj fuqishëm, jo vetëm këtu por edhe në Kuvend, përpjekjen për ta parandaluar shkatërrimin e Trustit nuk do ta ndalë”, shtoi ai.
Haxhiu i është përgjigjur Mujës duke i thënë se nuk janë tërhequr në vitin 2020 mbi 200 milionë por 197 milionë.
“Prej atyre që kanë pasur mundësi të tërheqin vetëm 53 për qind kanë aplikuar për të tërhequr. Sipas këtij raporti të publikuar nga Trusti vërehet që ka një tërheqje të mjeteve kryesisht të kategorive që kanë pasur me pak mjete në Trust. Ata që kanë pasur kushte të mira ata nuk kanë tërhequr mjete. Sipas trustit rezulton se vetëm 2 për qind e kontribuuesve kanë kursime mbi 20 mijë euro. Shumica janë prej 100 deri në 20 mijë euro. Ideja është që nëpërmjet Trustit të mbështeten ata që janë në marrëdhënie pune ndërsa me buxhetin e saj Qeveria të fokusohet te kategoritë e rrezikuara”, ka thënë ai.
Edhe deputeti tjetër i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka kërkuar që të miratohet Projektligji për tërheqjen e një pjese të Trustit Pensional.
“Inflacioni që është rrit nuk kemi qare pa e mbështet këtë projektligj i cili u ndihmon qytetarëve të vendit. Kjo do të ketë ndikim direkt dhe indirekt tek qytetarët. Kjo nuk do ju ndihmoj qytetarëve për luks po për mbijetesë dhe për të paguar borxhet”, tha Lushtaku.