Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka njoftuar se kanë përfunduar përditësimin e të dhënave dhe kanë udhëzuar qytetarët që të provojnë sërish aplikimin.
Në faqen e tyre zyrtare në Facebook sqarohet se personat që kanë vështirësi në aplikim duhet të njoftojnë Trustin në mënyrë që të gjendet problemi.
“Kontribuues të nderuar, sapo përfunduam përditësimin e të dhënave me informacione që i kemi marrë nga bankat dhe ju lutemi të provoni aplikimin. Nëse keni përsëri vështirësi në aplikim, ju lutemi na njoftoni që të hulumtojmë problemet dhe gjejmë zgjidhjet. Ju faleminderit për mirëkuptimin dhe mbështetjen”, thuhet në njoftim.
Zëdhënësi i Fondit të Kursimeve Pensionale, Jeton Demi, ka treguar se presin deri në 500 mijë persona që të aplikojnë për tërheqjen e 10 përqindëshit të kursimeve të tyre derisa njoftoi që deri dje aplikuan 215 mijë persona.