Katër përfaqësuese të regjionit janë në garë që përmes plejofit të sigurojnë kualifikimin në “Euro 2020” në futboll. Bosnjë-Hercegovina kërkon kualifikimin përmes plejofit të nivelit B, Serbia përmes nivelit C, ndërsa Maqedonia Veriore e Kosova përballen në nivelin D.
Te Serbia kanë shpresë se do të kualifikohen, ndërsa i gëzohen faktit që edhe dy përfaqësuese të tjera të regjionit mund të sigurojnë evropianin. Lubisha Tumbakoviq shpreson për Bosnjë-Hercegovinën e Maqedoninë Veriore. Ai ka vlerësuar se Kosova është pa gjasa ndaj Maqedonisë Veriore në Shkup, shkruan sot Koha Ditore.
Në të vërtetë kjo deklaratë e Tumbakoviqit është në vazhdën e qëndrimeve të mëhershme që i ka shprehur trajneri serb. Një prej episodeve më famëkeqe në karrierën e tij prej katër dekadash si trajner i futbollit është e lidhur me përfaqësuesen e Kosovës. Ai ishte seleksionues i Malit të Zi deri në ndeshjen ndaj Kosovës, të luajtur më 7 qershor të vitit të kaluar, në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2020”.
Tumbakoviq ka përgatitur ekipin për ndeshjen ndaj Kosovës, por në ditën e ndeshjes vendosi që të mos e drejtojë Malin e Zi. Ishte raportuar se vendimi i tij ishte marrë pas presionit të madh nga Beogradi. Njëjtë kishin vepruar edhe disa lojtarë serbë të Malit të Zi. Ata nuk janë ftuar më, ndërsa Tumbakoviqi u shkarkua menjëherë atë ditë. Ishte vlerësuar goditje e madhe për përfaqësuesen e Malit të Zi, ndërsa akuzat ndaj trajnerit me përvojë serb ishin të ndryshme. Menjëherë më 1 korrik, Tumbakoviq ishte emëruar seleksionues i Serbisë, ndërsa ai sërish është marrë me Kosovën.