Mbrëmjen e së hënës qytetarë të shumtë kishin dalë në sheshin kryesor në Vushtrri, pas kohës së iftarit, duke krijuar kështu turma të mëdha.
E këto grumbullime të qytetarëve nuk lejohen në kohën kur vendi është duke u përballur me pandeminë COVID-19. Drejtori i Inspeksionit në Vushtrri, Rrahim Ajeti tregoi se inspektorët dhe policia kanë ndërhyrë për të shpërndarë turmën
“Është e vërtetë që ka pasur një fluks të qytetarëve, ajo ka ndodhur për 10-15 minuta, por pasi e kemi marrë informatën kemi dalë në terren bashkë me policinë dhe i kemi larguar njerëzit”, ka thënë Ajeti.
Ajeti tha se është hartuar një plan përmes së cilit inspektorët dhe policia do të jenë gjatë tërë kohës nëpër pikat kryesore të qytetit, për të mos lejuar grumbullimin e qytetarëve.
“Ne e kemi bërë planin e punës dhe nuk do të lejojmë të bëhen grumbuj të njerëzve në parqe apo në sheshe. Inspektorët dhe policia do të jenë në terren dhe s’do të lejojmë grumbullimin e qytetarëve, aty ku do t’i gjejmë do t’i gjobisim”, deklaroi Ajeti në lidhjen direkte për Express.
Ai po ashtu shtoi se ka pasur biznese të cilat nuk kanë respektuar masat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë, e për këtë edhe janë gjobitur.
“Janë 3-4 biznese që nuk i kanë respektua masat, i kemi mbyllur dhe i kemi gjobitur sipas ligjeve në fuqi”, tha Ajeti.