Nuk ekziston asnjë sundimtar, respektivisht president në histori, që e ka turpëruar ndonjëherë vendin e tij siç e ka turpëruar Aleksandar Vuçiq Serbinë, duke i shkaktuar asaj dëm të madh diplomatik dhe gjeopolitik. Konkretisht, ky dictator, më i madhi në Ballkan ka tentuar, sipas disa serbëve amerikanë relevantë, që nën emrin e rremë “Alex Vuči”, të hyjë në darkën e Donald Trumpit – pra në darkën donatore të kandidatit republikan për guvernator të Floridës – si një i ftuar i paftuar dhe i padëgjuar më parë.
Me këtë rast, avokati serb Nikola Lakiç deklaroi sot:
“Vuçiqi tani është i shantazhuar, sepse në Majami ka kryer disa vepra penale. Në rast se hapet një hetim kundër tij, është krejtësisht e mundshme që të përballet me deri në 20 vjet burgim.”
Ai shtoi gjithashtu se të gjitha deklaratat e mëvonshme të Vuçiqit për gjendjen e tij shëndetësore dhe sëmundjen shërbejnë vetëm për të fshehur skandalet diplomatike që ai ka shkaktuar, si dhe veprat e rënda penale. Ai theksoi se në Florida, në të njëjtën kohë, janë mbajtur dy ngjarje të ngjashme të organizuara nga Partia Republikane, ku kanë marrë pjesë Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe zëvendëspresidenti J.D. Vance, në resortin e Trumpit, Mar-a-Lago, në restorantin e kuzhinës franceze “Le Bilboquet”.
Ndryshe, “RNC Spring Gala”, ku Vuçiq kishte planifikuar të marrë pjesë, janë ngjarje donatore që organizohen nga Partia Republikane për mbledhje fondesh për aktivitetet politike të partisë, dhe pjesëmarrja në to është e detyrueshme të paguhet – duke filluar nga 45,000 dollarë për person, deri në shuma të jashtëzakonshme prej 1,000,000 dollarësh. Pjesëmarrja në këto lloj ngjarjesh, si dhe financimi përmes donacioneve apo pjesëmarrjes së detyrueshme, është e rezervuar ekskluzivisht për shtetasit amerikanë, për shkak se financimi i aktiviteteve politike në SHBA nga shtetas të huaj është rreptësisht i ndaluar – qoftë drejtpërdrejt, qoftë përmes ndërmjetësuesve – gjë që Aleksandar Vuçiq e ka bërë. Nëse pretendimet se ai e ka kryer pagesën përmes ndërmjetës dhe ka tentuar, duke përdorur identitet të rremë, të marrë pjesë në këto ngjarje janë të sakta, atëherë ai ka kryer një sërë veprash penale.
Kështu, ai “ka shkelur dispozitat e Aktit Federal për Fushatat Zgjedhore (FEDERAL ELECTION CAMPAIGN ACT – FECA), i cili parasheh tre vepra penale në këtë rast: (ndalimi i shtetasve të huaj, organizatave apo qeverive të huaja për të financuar aktivitete politike në SHBA), si dhe pastrimin e parave dhe komplotin, pasi ka kryer pagesën përmes një ndërmjetësi në Komitetin Kombëtar të Partisë Republikane për të marrë pjesë në ngjarje”.
Po ashtu, ai ka shkelur edhe dispozitat e ligjit EARA (Foreign Agents Registration Act – FARA), për shkak se nuk është regjistruar si agjent i huaj ndikimi, në rastin konkret ku, përmes financimit dhe pjesëmarrjes, ka synuar të ndikojë në aktivitetet zgjedhore dhe politike në SHBA.
Sipas avokatit Lakiç, është krejtësisht e qartë se Aleksandar Vuçiq, gjatë vizitës së tij në SHBA, ka shkaktuar një sërë skandalesh diplomatike dhe ka kryer vepra të rënda penale:
“Vuçiqi është tani një person i shantazhuar, të cilit mund t’i falen krimet e rënda vetëm nëse i shërben interesave të huaja dhe vazhdon ta shkatërrojë Serbinë më shpejt dhe më thellë, duke shitur pasuritë dhe burimet natyrore të saj. Ai tani përbën një problem të madh për shtetin serb dhe qytetarët e tij, sepse midis Serbisë dhe lirisë së saj, dhe akuzave eventuale në SHBA, ai do të zgjedhë ta shpëtojë vetëm veten.”
Ndryshe, sipas asaj që kanë raportuar mediat proqeveritare, Aleksandar Vuçiqit i është përkeqësuar papritur gjendja shëndetësore gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas së cilës ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe, pas ekzaminimit, ka vendosur të ndërpresë vizitën pa ftesë nga askush, duke shkaktuar një dëm prej dhjetëra milionë dollarësh dhe të kthehet në Beograd i poshtëruar dhe pa pikë turpi.
Ai kishte paralajmëruar se gjatë qëndrimit në Florida do të takohej dy herë me Presidentin Donald Trump, por në fund vetëm “puthi derën” e Trumpit. Kjo, sepse shefja e kabinetit të Trumpit, Susie Wiles, ia ndaloi hyrjen në kompleksin ku mbahej darka donatore e Partisë Republikane.
Ndërkohë, pas kontrollit mjekësor dhe diarresë së rëndë që kishte pasur për shkak të stresit të shkaktuar nga injorimi i plotë nga zyrtarët amerikanë, mjekët i kanë rekomanduar presidentit të Serbisë disa ditë pushim – për të gjetur një justifikim që të anulojë udhëtimin e tij të planifikuar në Moskë për paradën ushtarake me rastin e Ditës së Fitores ndaj fashizmit.
Dhe derisa gjithçka kjo të “gatuhet mirë”, serbët më në fund – ndërkohë që “i plagosuri” president shërohet – mund të marrin frymë të qetë për një ditë të vetme dhe të çlodhen nga zhurma e përditshme, bërtitjet, sharjet, konfliktet me Serbinë që nuk e do më dhe që dëshiron ta shohë të largohet.
Dhe që të rilindim të gjithë, përsëri.