Turqi: Ambasadori i ShBA-së ftohet në bisedë rreth rezolutës për gjenodicin ndaj armëve

Prishtinë | 13 Dhj 2019 | 15:08 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Jashtme e Turqisë tha të premten se e ka ftuar në bisedë ambasadorin e SHBA-së në Ankara, David M. Satterfield, lidhur me një rezolutë të miratuar nga ligjvënësit amerikanë, e cila e njeh si gjenocid vrasjet masive të armenëve, një shekull më parë.

Të enjten, rezoluta u miratua në mënyrë unanime nga Senati amerikan, duke shkaktuar zemërimin e Turqisë.

Votimi nga ana e ligjëvënësve amerikanë, shënon edhe një goditje më shumë në lidhjet tashmë të brishta midis aleatëve të NATO-s.

Ankaraja ka thënë se vendimi i Senatit është i pavlefshëm, si dhe akuzoi ligjvënësit amerikanë për politizimin e historisë.

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian e ka konsideruar këtë hap si “fitore për drejtësinë dhe të vërtetën”.

Çështja armene dhe Turqia

Turqit osmanë vranë dhe dëbuan rreth 1.5 milion armenë, një pakicë e krishterë në Perandorinë kryesisht myslimane, gjatë dhe menjëherë pas Luftës së Parë Botërore.

Shumë historianë dhe disa vende e konsiderojnë masakrën si gjenocid.

Turqia, një anëtare e NATO-s, ka kundërshtuar një përcaktim të tillë, duke pretenduar se vdekjet ishin më shumë rezultat i grindjeve civile sesa një përpjekje e planifikuar e Qeverisë osmane për të asgjësuar armenët.

Turqia, gjithashtu pretendon se më pak armenë vdiqën, sesa ishte raportuar.

Armenia thotë se vrasja masive është një nga shembujt e parë të gjenocidit në historinë moderne, përpara Holokaustit të kryer nga Gjermania naziste kundër më shumë se 6 milionë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme