Të ardhurat e Turqisë nga turizmi janë rritur për 30,1 për qind në tremujorin e dytë të vitit në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, duke arritur në rreth 7,04 miliardë dollarë, njoftoi Instituti Turk i Statistikave (TurkStat).
Sipas të dhënave që TurkStat shpalosi rreth turizmit në tremujorin e dytë të vitit, të ardhurat e vendit kanë shkuar në 7 miliardë e 44 milionë e 591 mijë dollarë, prej të cilave 84,7 për qind janë siguruar nga vizitorët e huaj, kurse 15,3 nga shtetasit turq që jetojnë jashtë Turqisë, shkruan Anadoly Agency.
Ndërkohë, edhe numri i vizitorëve në tremujorin e dytë është rritur për 24,9 për qind në baza vjetore, duke shkuar në mbi rreth 11,1 milionë, prej të cilëve 89 për qind kanë qenë të huaj, kurse 11 për qind turq që jetojnë jashtë vendit.
Nga ana tjetër, edhe të dalat nga turizmi, konkretisht nga shtetasit turq që vizitojnë vende të tjera, janë rritur për 19 për qind në këtë periudhë, për të arritur në rreth 1,7 miliardë dollarë.