Mediet shtetërore turke raportuan se policia e këtij shteti i ka arrestuar 70 persona të dyshuar për lidhje me Shtetin Islamik gjatë operacioneve mbarëkombëtare në orët e hershme të së hënës.
Policia turke i ka shtuar aksionet kundër militantëve të dyshuar xhihadistë gjatë festave të fundvitit pas sulmit të përgjakshëm në një klub nate në vitin 2017, kur ishin vrarë 39 persona. Përgjegjësinë për këtë sulm e kishte marrë ISIS-i.
Agjencia e lajmeve “Anadolu” raportoi se njësia policore kundër terrorizmit zhvilloi aksione dhe operacione të inteligjencës në provincat qendrore, më saktësisht në Ankara, Kayseri, Adana dhe Batman.
Rreth 400 policë morën pjesë në aksionin që filloi në orën 5 të mëngjesit vetëm në provincën Batman. Ata i arrestuan 22 persona në disa lokacione. Përpos arrestimeve, policia sekuestroi armë, municion dhe dokumente.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, në Ankara u arrestuan 30 shtetas irakianë, dy sirianë dhe një maroken. Nëntë qytetarë irakianë u arrestuan në Kayseri, ndërsa katër sirianë dhe dy irakianë të tjerë u arrestuan në Adana, shkruan “Reuters”.