Turqia cakton 40 ditë paraburgim për të dyshuarin në vrasjen e dyfishtë në Maqedoninë e Veriut

Prishtinë | 12 Dhj 2023 | 10:46 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Drejtësisë e Republikës së Maqedonisë së Verut ka bërë të ditur të hënën se autoritetet gjyqësore turke i kanë zgjatur për dyzet ditë paraburgimin autorit të dyshuar për vrasjen e dyfishtë, Lupço Palevski.

Ministria turke e Punëve të Jashtme ka njoftuar Ambasadën maqedonase në Ankara se Kryeprokurori Publik i Balikesirit, qyteza ku u arrestua Palevski, i ka caktuar atij paraburgimin para ekstradimit në kohëzgjatje prej 40 ditësh.

Ministria e Drejtësisë në Shkup i dorëzoi para pak ditësh autoriteteve turke dokumentacionin e nevojshëm me kërkesën për ekstradimin e autorit të dyshuar për vrasjen e vajzës 14-vjeçe, Vanja Gjorçevska në Shkup dhe Pançe Zhezhovskit, 74-vjeçar nga Velesi. Maqedonia e Veriut dhe Turqia kanë një marrëveshje midis tyre për ekstradim, por ekspertët e çështjes në Shkup paralajmërojnë partitë politike dhe median që të mos e politizojnë aktin sepse, sipas tyre, mund të vështirësohen procedurat e ekstradimit të Palevskit në vend.

Ndërsa VMRO-DPMNE e opozitës akuzon qeverinë për lëshime rreth rastit të vrasjes, përkatësisht anashkalimin e hetimit të vrasjes së berberit Zhezhovski në Veles, eksponentë qeveritarë dhe të Lidhjes Social Demokrate në pushtet thonë se Lupço Palevski ishte i afërt me VMRO-në. Ndërkaq, zyrtarë të VMRO-së thonë se policia nuk e kishte kërkuar fare makinën e viktimës në Veles, ndërkohë që ajo ishte pikasur nga kamerat e sigurisë në një a dy lagje të Shkupit, pas aktit të vrasjes. Kjo makinë, më pas u përdor për rrëmbimin e adoleshentes Vanja Gjorçevska në qendër të Shkupit, në hyrje të ndërtesës ku banonte ajo. Opozita maqedonase thotë se vrasja e vajzës mund të mos kishte ndodhur sikur të ishte zbuluar makina e viktimës së parë. Partia kërkon dorëheqjen e Ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovki.

Të ngjashme