Turqia ekstradon në Francë 11 të dyshuar për terrorizëm

Prishtinë | 09 Dhj 2019 | 12:40 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet turke thanë të hënën se i kanë dëbuar në Francë 11 shtetas francezë si pjesë e programit për ekstradimin e luftëtarëve të huaj.

Përpos numrit të personave të dyshuar dhe shtetësisë së tyre, Ministria e Brendshme e Turqisë nuk dha hollësi të tjera për personat e dëbuar. Megjithatë, burimet diplomatike thonë se në mesin e personave të ekstraduar janë katër gra dhe shtatë fëmijë.

Turqia është duke mbajtur në paraburgim qindra të dyshuar të të ashtuquajturit Shtet Islamik dhe muajin e kaluar e filloi zbatimin e një programi për riatdhesimin e tyre. Ky vendim nxiti reagime të shumta nga vendet aleate të NATO-s.

Ankaraja i ka akuzuar shtetet evropiane se po tregohen shumë të ngadalshme në kthimin e shtetasve, të cilët kishin shkuar në Lindje të Mesme për të luftuar.

Turqia e kishte nënshkruar një marrëveshje me Francën para pesë vjetësh në lidhje me ekstradimin e francezëve të arrestuar nga policia turke. Prej asaj kohe, autoritetet turke i kanë ekstraduar në Francë 300 persona.

Ndryshe, ministri i brendshëm turk, Suleyman Soylu, deklaroi muajin e kaluar se Ankaraja do t’i riatdhesojë shumicën e të dyshuarve të lidhur me Shtetin Islamik deri në fund të këtij viti, shkruan “Reuters”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme