Turqia njofton për bllokimin më të rreptë që nga fillimi i pandemisë

Prishtinë | 27 Pri 2021 | 08:59 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Turqisë Recep Tayip Erdogan ka njoftuar për kufizimet më të rrepta kundër COVID-19 që nga fillimi i pandemisë që do të fillojnë të enjten për të luftuar një rritje të infeksioneve dhe vdekjeve nga virusi.

Masat e reja do të përfshijnë mbylljen e bizneseve dhe shkollave, kufizimin e udhëtimeve dhe udhëzimin e njerëzve për të qëndruar në shtëpi për gati tre javë, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.

Deri më tani Turqia kishte vendosur bllokime të pjesshme për të mbajtur bizneset në punë teksa vendi po përballet me një recesion të rëndësishëm ekonomik.

Erdogan tha se të gjitha bizneset do të duhet të mbyllen nëse nuk thuhet ndryshe nga Ministria e Brendshme në Turqi, teksa ata që përjashtohen nga ky bllokim pritet të jenë personat që merren me bujqësi, shëndetësi dhe biznese të higjienës.

Dyqanet ushqimore do të qëndrojnë të hapura përveç të dielave teksa për udhëtimet e brendshme do të duhet të ketë leje.

Shkollat dhe universitet do të kalojnë në mësimin online.

Masat do të jenë në fuqi deri më 17 maj dhe përfshijnë edhe festën myslimane të Bajramit të Madh.

“Do të ketë një kufizim të pandërprerë për të dalë jashtë midis këtyre datave,” tha Erdogan.

Erdogan tha se pa kufizime më të rrepta dhe nivele më të ulëta të infeksioneve, do të kishte një “çmim të rëndë” për turizmin, tregtinë dhe arsimin. Ai tha se qëllimi është të zvogëlojnë infeksionet ditore në 5 mijë raste.

Infeksionet e konfirmuara ditore të hënën ishin 37 mijë e 312 të infektuar.

Infeksionet dhe vdekjet u rritën pasi Turqia hoqi kufizimet e pjesshme gjatë muajit mars kur qeveria provoi një përpjekje “të kontrolluar normalizimi” duke kategorizuar provincat e Turqisë në katër nivele rreziku.

Kjo përpjekje dështoi dhe virusi u përhap nëpër qytete dhe provinca, i nxitur nga mutacionet që e bënë atë më ngjitës.

Që nga fillimi i pandemisë e deri tani Turqia ka regjistruar mbi 4.6 milionë të infektuar dhe 38 mijë e 711 viktima.

Të ngjashme