Turqia përgatitet për mbylljen e parë të plotë

Prishtinë | 29 Pri 2021 | 08:53 | Nga Ekonomia Online

Rrugët janë të mbushura me qytetarë, e po ashtu edhe qendrat tregtare dhe trafiku është i ngarkuar.

Disa po nxitojnë te stacioni kryesor i autobusëve për të dal nga Stambolli, ndërsa të tjerët po blejnë sasi të alkoolit.

Kjo është atmosfera në Turqi ndërsa po përgatitet që sot më vonë të futet në mbylljen e parë të plotë si pasojë e pandemisë, për të frenuar rritjen e fundit të numrit të rasteve pozitive me koronavirus dhe rasteve të vdekjes si pasojë e COVID-19.

Grupet e WhatsAppit janë dominuar me mesazhet se si do të jetë jeta në ditët në vijim.

Në këtë periudhë vitin e kaluar, Turqia ishte parë si storie e suksesit për masat e hershme të marra për të luftuar koronavirusin dhe madje edhe ishte përgëzuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Një vit më pas, Turqia është një nga vendet që është prekur më së rëndi nga COVID-i, me përqindjen më të lartë të infeksionit aktualisht në Evropë.

Ankara është ende krenare për shifrën relativisht të ulët të numrit të vdekjeve, rreth 39 mijë, dhe autoritetet thonë se pandemia është ende nën kontroll, fal sistemit të fortë shëndetësor në vend. Por rritja e numrit të rasteve është shqetësuese.

Pas një periudhe të dytë të masave kufizuese në nëntorin e kaluar, numri i rasteve ditore ka rënë në rreth 6000 në një periudhë në mesin e shkurtit.

Por, me të nisur zbutja e masave në mars, ka goditur vala e re në Turqi.

Qeveria mori vendim për të rikthyer masat kufizuese në fillim të prillit, por nuk ka mjaftuar për të parandaluar përhapjen.

Në kulmin në prill, kishte më tepër se 60 mijë raste të reja pozitive në ditë dhe më tepër es 300 vdekje.

Sipas kritikëve, Qeveria ka hequr masat tepër herët dhe procesi i vaksinimit nuk ka shkuar mjaftueshëm shpejt.

Më tepër se 22 milionë persona janë vaksinuar deri më tash në Turqi, një shtet me 82 milionë banorë.

Turqia kryesisht përdor vaksinën kineze Sinovac, si dhe ka edhe një sasi relativisht të vogël të dozave të vaksinës Pfizer/BioNTech.

Ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, dje ka njoftuar se është arritur marrëveshja për të blerë 50 milionë doza të vaksinës ruse Sputnik V, dhe se pritet të aprovohet kjo vaksinë për përdorim emergjent së shpejti.

Shkencëtarët besojnë se varianti i ri, veçanërisht ai britanik, ka ndikuar në rritje të nivelit të infeksionit.

Cilado të jetë arsyeja për valën e re, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, më në fund ka vendosur për mbyllje të plotë, që do të hyjë në fuqi nga sot në ora 19:00 me kohë lokale dhe do të jetë në fuqi deri më 17 maj.

Sipas masave të reja qytetarët duhet të qëndrojnë në shtëpi me përjashtim të daljeve esenciale, si blerje të ushqimeve apo tretman emergjent mjekësor, udhëtimet mes qyteteve do të mund të bëhen vetëm me një aprovim zyrtar, shkollat do të mbyllen dhe do të lejohet numër i kufizuar i qytetarëve në transport publik, shitja e alkoolit do të kufizohet.

Shumë ekspertë janë të lumtur me këtë mbyllje të re, pasi thonë se është e nevojshme.

Mirëpo, disa thonë se mbyllja nuk do të zgjasë mjaftueshëm për të luftuar rritjen e rasteve.

Qeveria e Turqisë në anën tjetër ka një shënjestër të qartë.

“Në një kohë kur Evropa është duke u futur në fazën e rihapjes, ne duhet të reduktojmë në mënyrë të shpejtë rastet në nën 5000, e jo të mbesim prapa”, ka thënë Erdogan.

Masat do të vazhdojnë përgjatë gjithë muajit të Ramazanit e po ashtu festës së Fitër Bajramit.

Vitin e kaluar Turqia ka parë një rënie prej 70 për qind të vizitorëve të huaj. Industria e turizmit shpreson që mbyllja do të ndihmojë për të rihapur më pasa vendin në kohën për sezonën verore.

Të ngjashme