Presidenti turk, Reccep Tayyip Erdogan, ka refuzuar një thirrje të SHBA-së për armëpushim të menjëhershëm në veri të Sirisë, duke thënë se ofensiva e ushtrisë turke do të vazhdojë.
Komentet e tij vijnë ndërsa nënpresidenti amerikan, Mike Pence dhe sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, përgatiten të udhëtojnë në Turqi, në përpjekje për të ndërmjetësuar një armëpushim.
Më 15 tetor, Rusia paralajmëroi se nuk do të lejojë që të ndodhnin përleshje midis forcave turke dhe siriane.
Turqia thotë se sulmi i saj synon të shtyjë forcat kurde nga rajoni kufitar.
Ajo i konsideron elementët e Forcave Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët, një organizatë terroriste, përcjell rel.
Por, luftëtarët kurdë kanë qenë aleatët e ngushtë të SHBA-së, në luftën kundër grupit militant ekstremist, Shteti Islamik.
Ankaraja gjithashtu thotë se dëshiron të krijojë një “zonë të sigurt” që arrin rreth 30 kilometra në Siri për të rivendosur deri në dy milion refugjatë sirianë që ndodhen aktualisht në Turqi.
Sidoqoftë, forcat siriane – të cilat janë të mbështetura nga Rusia – përparuan në veri gjatë fundjavës pas një marrëveshjeje me kurdët në përpjekje për të zmbrapsur ofensivën turke.