Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu tha sot se shtetet që kanë njohur presidentin e vetëshpallur të Venezuelës, Juan Guaido, po nxisin edhe më shumë thellimin e krizës në këtë shtet.
Turqia po mbështet presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, ndërkaq Shtetet e Bashkuara, Kandaja dhe disa shtete kyçe në Amerikën Latine kanë njohur Guaidon si udhëheqës të Venezuelës.
Më 23 janar, 35-vjeçari Guaido shpalli vetën president të përkohshëm të Venezuelës.
Ministri Cavusoglu tha se shtetet që po e mbështesin Guaidon është dashur që në vend të kësaj, të punonin mbi një proces të bisedimeve, të cilat do të mund të zgjidhinin krizën në Venezuelë.
“Ka një problem në këtë shtet, ka shkëndija që mund të shndërrohen në çdo moment në zjarr. Në këtë rast, ata (shtetet që mbështesin Guaidon), do të duhej të kontribuonin në gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut”, tha Cavusoglu.
“Por, a është kjo mënyra se si ata do të duhej ta trajtonin këtë çështje? Jo, përkundrazi, ngjarjet (në Venezuelë) janë nxitur nga jashtë. Populli i Venezuelës është ndëshkuar mjaftueshëm si pasojë e një qasje të tillë”, shtoi ministri turk.
Ndërkaq, më herët, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se Ankaraja do të forcojë lidhjet ekonomike dhe politike me Karakasin dhe i ka bërë thirrje homologut të tij Maduro, që të qëndrojë i fortë, ndaj atyre që ai i përshkroi si “zhvillime anti-demokratike”.