Qindra qytetarë turq kanë bërë kërkesë për azil në vendet e Ballkanit që prej grushtit të dështuar të shtetit në 2016-ën, duke kërkuar mbrojtje nga një goditje që shtrihet edhe përtej kufijve të Turqisë së Recep Tayyip Erdogan, ka zbuluar BIRN.
Nëse dikur ishte e rrallë që turqit të kërkonin azil në shtetet e rajonit tonë, prej tre vjetësh tashmë kjo është kthyer në një dukuri e rregullt, tregon hetimi i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese. Teksa arsyet e çdo kërkese individuale janë konfidenciale, koha e rritjes së këtyre kërkesave dëshmon qartë një frikë të përhapur nga krahu i gjatë i ligjit turk nën Erdoganin që kur arriti ta mposhtë përpjekjen për grusht shteti.
Kërkesat për azil i kanë vendosur një sërë shtetesh ballkanike në një lloj ngërçi diplomatik, sepse kanë “ngecur” mes përfitimeve diplomatike dhe financiare të marrëdhënieve të ngrohta me Ankaranë dhe pritshmërisë së Bashkimit Europian që t`I rezistojnë përpjekjeve turke për të dorëzuar pasuesit e klerikut të akuzuar si organizatori I ngjarjes, Fetullah Gylen. Trendi është më i dukshëm në Kosovë, veçanërisht që nga fundi i marsit 2018 kur gjashtë turq u “morën nga rruga” dhe u dërguan në Turqi në një operacion të udhëhequr nga agjentë turq të inteligjencës, jashtë çdo procesi ligjor të ekstradimit.
Asnjë qytetar i vetëm turk nuk kishte kërkuar azil në Kosovë në periudhën e viteve 2014 dhe 2016. Ndërsa në 2017-tën, sipas Ministrisë së Brendshme, shtatë vetë kërkuan strehim zyrtar. Në vitin 2018, kërkesat shkuan në 76, 50 prej të cilave janë aprovuar. Gjithsej, në Kosovë, Bosnje, Maqedoni Veriore dhe Bullgari, më shumë se 250 qytetarë turq kanë paraqitur kërkesa për azil që nga viti 2016, sipas shifrave të ofruara nga BIRN.