Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se gjasat që Britania e Madhe të mbetet pjesë e Bashkimit Evropian janë hiç më pak se 30 për qind pasi pritet që shumica e popullsisë do ta kundërshtonin Brexitin në rast se mbahet referendumi i dytë.
Zyrtari më i lartë i bllokut evropian tha se britanikët kanë debatuar vërtet për Brexitin vetëm pas mbajtjes së referendumit të vitit 2016 dhe se ka arsye të forta të besohet se shumica e votave tashmë do të ishin në anën tjetër.
Duke e përshkruar vendimin e ish-kryeministrit britanik, David Cameron, për mbajtje të referendumit si llogaritje të gabuar politike, Tusk tha se ai pret rezultat tjetër në referendumin e dytë, duke pasur parasysh gjërat që janë mësuar nga pasojat e largimit nga Bashkimi Evropian.
“Referendumi u mbajt në momentin më të keq të mundshëm, ai është rezultat i një llogaritjeje të gabuar politike”, tha Tusk në një intervistë për një gazetë polake. “Nuk pati debat të vërtetë për pasojat e Brexitit gjatë fushatës për referendum, por vetëm pas tij. Sot rezultati ndoshta do të dukej ndryshe. Brexiti në Britani të Madhe në mënyrë paradoksale e ka nxitur një lëvizje pro Evropës”, shtoi ai.
Tusk, mandati i të cilit përdundon në nëntor të këtij viti, tha se përkrahësit e mbetjes së Britanisë në BE po përjetojnë krizë të udhëheqësisë, por që ende beson se është e mundur mbajtja e referendumit të dytë për këtë çështje, shkruan “The Guardian”.