News24 po përballet prej tre ditësh me një represion të pazakontë policor gjë që solli edhe ndërprerjen e transmetimit për herë të parë në historinë e mbi 2 dekadave që nga krijimi.
Teleshikuesit nuk arrijnë të ndjekin ekranin e tyre të dashur ndaj të cilit kanë qëndruar besnikë prej mëse 23 vitesh. Kjo, pasi policia ndërpreu sinjalin e televizionit më të madh informativ në mënyrë arbitrare dhe zaptoi godinën ku media ndodhet prej themelimit të saj në vitin 2002.
Gjithçka ndodhi, në një ditë krejt të zakonshme pune, në një aksion, të paparalajmëruar. Në orët e para të mëngjesit të datës 9 gusht, forca të shumta policore zaptuan ambientet e News24 dhe nuk lejuan gazetarët të nisnin punën.
Për uzurpimin e News24 nga Policia e Shtetit dhe mbylljen e sinjalit në mënyrë arbitrare kanë reaguar politikanë, gazetarë të njohur dhe qytetarë të shumtë.
Mijëra e mijëra ndjekës kanë dënuar këtë akt barbar, duke shprehur solidaritet për të gjithë punonjësit.