Twitter tha të premten se llogaria @POTUS e menaxhuar aktualisht nga presidenti amerikan, Donald Trump, do t’i dorëzohet presidentit të sapozgjedhur Joe Biden në Ditën e Përurimit.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, kjo llogari është faqja zyrtare e Presidentit të Bashkuara të Amerikës, dhe është e ndarë nga llogaria @realDonaldTrump që Trump e përdor për të publikuar në Twitter.
Kjo do të zbatohet gjithashtu për rreth një duzinë llogarish të Shtëpisë së Bardhë, duke përfshirë llogaritë @FLOTUS dhe @PressSec, të cilat do t’i dorëzohen administratës së re.
Lajmin e konfirmoi për CNN Business, zëdhënësi i Twitter, Nick Pacilio.
“Twitter është duke u përgatitur në mënyrë aktive për të mbështetur tranzicionin e llogarive institucionale të Shtëpisë së Bardhë në Twitter më 20 janar, 2021. Ashtu siç e bëmë për tranzicionin presidencial në vitin 2017, ky proces po bëhet në konsultim të ngushtë me Administratën Kombëtare të Arkivave dhe Regjitrave”, tha Pacilio në një deklaratë.