Twitter tha se ka pezulluar mbi një milion llogari për “promovim të terrorizmit” qysh në vitin 2015.
Në raportin e fundit të transparencës, platforma sociale tha se 274,460 llogari janë pezulluar vetëm në periudhën korrik-dhjetor 2017, “për shkelje që lidhen me promovimin e terrorizmit”.
Shifra është më e ulët për 8.4 përqind nga periudha e mëparshme raportuese dhe është rënia e dytë e njëpasnjëshme, tha përmes një deklarate Twitter.
“Ne vazhdojmë të shohim ndikim pozitiv dhe të rëndësishëm të viteve të punës sonë, që e bëjnë platformën tonë një vend të padëshirueshëm për ata që kërkojnë të promovojnë terrorizmin”, tha Twitter.
Twitter është përballur me presion nga qeveritë në gjithë botën për të përndjekur xhihadistët dhe të tjerët që bëjnë thirrje për sulme të dhunshme dhe njëkohësisht për të ruajtur një platformë të hapur për fjalën e lirë.