Në një numër twittesh të dielën në mëngjes, të cilat u cilësuan menjëherë nga kritikët si komente raciste dhe ksenofobike, Presidenti Donald Trump ka provokuar një tjetër polemikë që lidhet me disa anëtare të Kongresit.
Presidenti sulmonte në twiterat e tij disa ligjvënëse demokrate, me ide progresive, duke u thënë atyre të kthehen në vendet e tyre për të dhënë ndihmesë në pakësimin e krimeve në ato vende.
Në mesin e katër ligjvënëseve që u bënë objekt i sulmeve të Presidentit, vetëm njëra prej tyre, ligjvënësja e Minesotës – Ilhan Omar, nga Somalia – ka lindur në një vend të huaj. Tre ligjvënëset e tjera janë amerikane indigjene – Ayana Pressley (e shtetit Massachusetts) ka lindur në Cincinnati të Ohios. Alexandria Ocasio-Cortez ka lindur në Nju Jork dhe përfaqëson pjesën lindore të lagjes Bronx dhe një pjesë të lagjes Queens), ndërsa Rashid Tlaib, ligjvënëse e Michiganit, ka lindur në Detroit.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj një kërkese të Zërit të Amerikës, për të konfirmuar në se Presidenti ishte në dijeni para se të niste twittet, se tre nga katër ligjvënëset që ai përmendëte, janë shtetase amerikane, të lindura në SHBA.
Ligjvënëset në fjalë kanë patur një polemikë me Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, demokraten Nancy Pelosi, lidhur me çështjet e imigracionit. Kjo mosmarrëveshje tërhoqi ditët e fundit vëmendjen e zotit Trump, i cili madje i doli në mbrojtje në publik zonjës Pelosi.
Twittet e Presidentit Trump lidhur me katër ligjvënëset demokrate, të njohura ndryshe si “grupi”, erdhën pas një segmenti 20 minutësh kushtuar atyre në televizionin Fox News. Presidenti shpesh reagon menjëherë në mediat sociale ndaj programeve që sheh në kanalin Fox.
Në veçanti, ligjvënësja Omar, ka qenë objekt kritikash në këtë televizion, pjesërisht për shkak të qëndrimit të saj kritik ndaj Izraelit dhe të disa komenteve të saj antisemite.
Ligjvënëset Omar dhe Tlaib janë dy my myslimanet e para të zgjedhura në Kongresin amerikan.
Shumë njerëz në mediat sociale po i dënojnë twittet e zotit Trump, që duket se i kanë tejkaluar këtë herë normat, edhe pse zakonisht ai shkruan twitte provokuese.
Në mesin e kritikëve, është edhe ligjvënësja Pelosi, e cila shkroi se komentet e zotit Trump janë ksenofobike dhe “synojnë ta përçajnë vendin tonë” dhe ato “ritheksojnë se plani i tij – për ta bërë Amerikën përsëri madhështore -, ka qenë në fakt gjithmonë ta bëjmë Amerikën përsëri të bardhë”/VOA.