U.d. drejtori i Përgjithshëm i PK-së z. Samedin Mehmeti, ka mbajtur një takim virtual me drejtorë të departamenteve dhe Drejtorive Rajonale Policore (DRP), përfshirë Drejtoritë Rajonale të Policisë Kufitare.
Tema kryesore që u diskutua është situata epidemiologjike në vend e trajtuar në aspektin policor.U.d. drejtori i Përgjithshëm i PK-së Mehmeti, pas një përshëndetje me pjesëmarrësit nga pozita e re, kërkoi angazhime të shtuara të udhëheqësve të DRP-ve në zbatim të ligjit për ‘ Parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19’, pjesa që i përket policisë.
Ai, ndër të tjera kërkoi menaxhim më efikas me personelin policor dhe po ashtu potencoi se diplomimi i gjeneratës së re të PK-së në fundjavë do të jetë një ndihmesë e madhe për punën në teren dhe kërkoi që policët e ri, të angazhohen menjëherë në teren në dy ndërrime
.U.d. drejtori i Përgjithshëm, Mehmeti, foli edhe rreth çështjeve logjistike përfshirë furnizimi më vetura të reja të cilat janë një ndihmesë teknike në kryerjen e detyrave policore. Po ashtu, kërkoj edhe angazhime e aktivitete më të mëdha lidhur me rastet e emigrantëve që vijnë nga vendet e lindjes së afërt.Më pas, në takim prezantuan me fjalime pjesëmarrësit tjerë, drejtorët e departamenteve dhe ata nga DRP-të dhe nga Drejtoritë Policore Kufitare.