U.d e Presidentes, Vjosa Osmani nuk ka asnjë kufizim në ushtrimin e kompetencave kushtetuese, kështu thuhet në komunikatën e kabinetit të presidentes.
Përderisa ushtron detyrën e Presidentes, Osmani njëkohësisht ushtron edhe të gjitha kompetencat e plota të kreut të shtetit, ashtu siç e parasheh Kushtetuta dhe e drejta pozitive në tërësi.
“Lidhur me këtë ekzistojnë edhe aktgjykime të Gjykatës kushtetuese, konkretisht rastet KO 29/12 dhe KO 48/12. Një nga këto aktgjykime trajton propozimim e Kuvendit për kufizim të kompetencave të u.d. të Presidentit përmes amendamenteve kushtetuese. Megjithatë, këto amendamente Kushtetuese, asnjëherë nuk janë votuar e as nuk kanë hyrë në fuqi. Ndaj kanë mbetur vetëm propozim-amendamente, pa u materializuar. Pra nuk janë bërë asnjëherë pjesë e Kushtetutës”, thuhet tutje në komunikatë.
Në rastin në fjalë, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se amendamentet e propozuara pakësojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Për këtë arsye këto propozim-amendamente nuk janë formalizuar asnjëherë.
“Përderisa nuk ka asnjë amendament kushtetues, i cili miratohet në Kuvend e bëhet pjesë e kushtetutës dhe kufizon kompetencat e u.d. të Presidentes, atëherë u.d Presidentja i gëzon të gjitha kompetencat kushtetuese të Presidentit që nga momenti kur ka filluar ushtrimin e detyrës. Çdo interpretim tjetër, sipas të cilit u.d. Presidentja i ka të kufizuara kompetencat bazuar në propozim amandamente që kurrë nuk u votuan, nuk është interpretim i kushtetutës por thjeshtë qasje tendencioze politike”, shkruan në komunikatën e kabinetit të Presidentës.