Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi së bashku me Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj dhe prokuroren e PSRK-së, Ilirjana Çollaku – Tafa, kanë marrë pjesë në Forumin Konsultativ të kryeprokurorëve të përgjithshëm dhe kryeprokurorëve special të Ballkanit Perëndimor që është mbajtur në Budva të Malit të Zi, takim ky që është organizuar nga Zyra e Prokurorit Suprem të Shtetit të Malit të Zi dhe EUROJUST përmes Projektit të Drejtësisë Penale për Ballkanin Perëndimor.
Takimi filloj me një fjalë mirëseardhjeje të nikoqirëve të kësaj ngjarjeje, përkatësisht Kryeprokurorit Suprem të Shtetit të Malit të Zi, z. Milorad Markovic, Presidentit të EUROJUST-it, z. Ladislav Hamran, për të vazhduar me kryeprokurorët e përgjithshëm dhe kryeprokurorët special të të gjitha të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë fjalës se tij, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, Kelmendi, ka vlerësuar lartë këtë takim si një mundësi të mirë për të rritur bashkëpunimin në mes të prokurorive të vendeve të rajonit në luftimin e krimit të organizuar dhe krimeve tjera ndërkufitare, me ç’rast ka potencuar se pjesëmarrja e delegacionit të Prokurorit të Shtetit në këtë takim tregon gatishmërinë dhe vullnetin institucional për bashkëpunim me gjitha prokuroritë e Ballkanit Perëndimor.
Po ashtu, U.D. Kryeprokurori Kelmendi ka folur edhe për rëndësinë që Prokurori i Shtetit i ka dhënë bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në fushën penale, rëndësinë e shkëmbimit të përvojave të ndërsjella institucionale dhe mundësitë që i japin Prokurorit të Shtetit mekanizmat dhe instrumente e EUROJUST-it në fushën e drejtësisë penale.
Në anën tjetër, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, gjithashtu foli për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar mes shteteve të rajonit dhe të BE-së për të luftuar aktivitetet kriminale ndërkufitare në mënyrë sa më të suksesshme.
Ai ka theksuar se përmes ndihmës së ofruar nga EUROJUST, Prokuroria Speciale e Kosovës ka treguar rezultate më të kënaqshme në luftimin e krimit të organizuar.
Kryeprokurori Isufaj potencoi faktin se ky bashkëpunim mes Kosovës dhe Projektit të EUROJUST-it për Drejtësinë Penale për vendet e Ballkanit Perëndimor ka mundësuar që edhe Republika e Kosovës tashmë të jetë pjesë e Ekipeve të Përbashkëta Hetimore që themelohen mes shteteve me asistimin e EUROJUST për hetimin e veprave penale të krimit të organizuar dhe krimeve tjera ndërkufitare.