Gjykata e Apelit ka marrë vendim për uljen e dënimit, për Goran Stanishiqin i cili ishte dënuar për vrasjen e 13 civilëve gjatë luftës në Kosovë.
Apeli ka marrë vendim për ulje të dënimit nga 20 në 15 vjet burgim.
Më 27 shtator 2022, Gjykata Apelit kishte shqyrtuar kërkesën e mbrojtjes ku ishte kërkuar që Stanishiq të lirohet nga akuza apo që çështja të kthehet në rigjykim.
“Gjykata e Apelit me aktgjykimin APS.nr.28/2022 të datës 27.09.2022, me shumicë votash e ka aprovuar pjesërisht ankesën e mbrojtësit të akuzuarit G.S., duke ndryshuar aktgjykimin e ankimuar, përkitazi me vendimin mbi dënimin, ashtu që për veprën penale për të cilën është shpallur fajtor, e ka gjykuar me dënim me burgimi në kohëzgjatje prej 15 (pesëmbëdhjete) vite, ndërsa në pjesën tjetër aktgjykimi ka mbetur i pa prekur”, thuhet në vendimin e Apelit.
Sipas kolegjit të Apelit, aktgjykimi i ankimuar nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, meqenëse dispozitivi i aktgjykimi është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret, po ashtu, i njëjti është në përputhshmëri të plotë edhe me arsyetimin dhe gjithashtu edhe përpilimi i dispozitivit, është bërë konform dispozitave të nenit 370 par. 4 e lidhur me nenin 365 të KPPK-së, ku janë përfshirë të gjitha faktet dhe rrethanat nga të cilat plotësohen të gjitha elementet e veprës penale nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ- së, për të cilën vepër penale i akuzuari G.S. është shpallur fajtor.
Më 5 tetor 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë, Goran Stanishiqin e kishte dënuar me 20 vite burgim për vrasjen e 13 civilëve gjatë luftës në Kosovë.
Aktgjykimin e plotë mund ta gjeni KËTU.