Kreu i qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar një ditë pas emërimit në postin e zëvendës ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Ina Majkos, e cila kandidoi për deputete në zgjedhjet e 11 Majit, por nuk siguroi mandat.
Rama shprehet se Ina Majko është e para përfaqësuese e komunitetit Rom në nivelin e kabinetit qeveritar në historinë e vendit dhe se ajo do të mbulojë pikërisht çështjet e njerëzve më në nevojë të shoqërisë në fushën e Mbrojtjes Sociale.
Kryeministri u shpreh se zv.ministrja “spikati në skuadrën e 11 majit, mes atyre që edhe pse nuk ia dolën të fitonin një vend në Kuvendin e ri, ishin një vlerë e shtuar e PS2030 në përfaqësimin e komuniteteve e të grupeve të ndryshme të interesit”.
“Historia e Ina Majkos është historia e një fëmije të rritur mes paragjykimesh e vështirësish të mëdha ekonomike dhe historia e një vajze të talentuar, plot energji e vendosmëri për t’ia dalë, e cila jo vetëm kreu me rezultate të larta studimet jashtë vendit dhe flet pesë gjuhë të huaja, por edhe u bë një zë i bukur i komunitetit të saj në platformat sociale”, theksoi Rama.