Djali i vëllait të ish-deputetit të PDK-së, Adem Grabovci, është gjetur dje pa shenja jete brenda një veture në lagjen “Emshir” të Prishtinës. Sot, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nisur hetimet për rastin. Rasti po hetohet si “vdekje e dyshimtë”, raporton Express.
Sipas Policisë, dyshohet se i njëjti ka bërë vetëvrasje. Afër trupit të viktimkës është gjetur një armë zjarri me 12 fishekë dhe një gëzhojë.
“Lagjja Emshir, Prishtinë 02.06.2022. Raportohet se është gjetur në një veturë një person mashkull kosovar i gjakosur dhe pa shenja jete, dyshohet që i njëjti ka bërë vetëvrasje. Afër trupit të pa jetë është gjetur një armë zjarri me 12 fishekë, 1 gëzhoje te kalibrit 9 mm. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë dërgohet për obduksion. Rasti nën hetime”, thuhet në raport.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express, ka thënë se trupi i pajetë i Nazmi Grabovcit është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Ajo tha se në vendin e ngjarjes kanë qenë njësitet relevante dhe vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor.
Ulaj tha se rasti është inciuar si “Hetim i vdekjes”, derisa zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci, ka thënë se sipas informacioneve të para ka elemente të vetëvrasjes.
“Rreth orës 12:00, kemi pranuar informatën për një trup të pa jetë, në një veturë në lagjen “Emshir” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull, rreth 50 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, përkundër që ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje, policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen dhe po vijon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit”, tha Borovci.
Adem Grabovci ka folur mbrëmë pasi trupi i pajetë i nipit të tij është gjetur në një parking në lagjen Emshir të Prishtinës.
Grabovci ka thënë se jeta e përballi me sfida të forta dhe ai kishte kaluar edhe burgun dhe rënien e vëllait të tij si dëshmor, por që sot ishte sfida më e rëndë.
“Të dashur Miq, Shokë e Dashamirë, Jeta më përballi me goditje e stuhi të njëpasnjëshme. Sot, më dha më të rëndën! As burgjet, me të gjitha të hekat e saj , as rënia e Dinës (vëllaut) dëshmor, e as asnjë sfidë jetësore nuk më rrëzoi më fortë. NAZMI, nuk të kisha vetëm shenjë të vëllaut, të kisha bashkëluftetar, shokë e gjithçka në jetë, mbeshtetësha shumë tek ti. Sot, më mundove fortë bre NAZ….”, shkroi Adem Grabovci.
“Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës që Ti e deshe aq shumë. Bëmi të fala Dinës e Xhaferit, e thuaju se, sot e kam lëndu Ademin shumë …”, përfundoi ai.