Mbrëmë, në një ceremoni solemne të mbajtur në Flori Gallery në Prishtina Mall, u hap zyrtarisht Ekspozita Ndërkombëtare “EURO KOSOVA ART” – Edicioni i 14-të, në prani të dhjetëra artistëve, artdashësve dhe përfaqësuesve të institucioneve kulturore.
Kjo ekspozitë ndërkombëtare sjell veprat e 40 artistëve nga 15 shtete të ndryshme të botës, të cilët prezantojnë një përvojë të pasur dhe shumëdimensionale artistike për publikun kosovar. Edicioni i sivjetmë zhvillohet nën temën “Kosova me shumë ngjyra”, që ka frymëzuar artistët të krijojnë gjatë qëndrimit të tyre në vendin tonë, duke reflektuar kulturën, historinë, ngjyrat dhe përjetimet e tyre personale në Kosovë.
Gjatë festivalit, artistët realizuan një sërë aktivitetesh artistike dhe kulturore, si: vizita në qytete, galeri dhe vendbanime të lashta të trashëgimisë kulturore të Kosovës, tryeza të përbashkëta dhe panele tematike. Artistët pjesëmarrës ne saje të ketyre akiviteteve patën mundësinë të njihen më nga afër me kulturën dhe historinë e vendit tone dhe përjetime që më pas u shndërruan në frymëzim për krijimet e tyre artistike.
Ky aktivitet ndërkombëtar është realizuar nën kujdesin e organizatorit dhe kuratorit Prof. Muhamet Ahmeti – Metis, si dhe të koordinatorëve Adriana Sedaj, Hajrush Fazliu, Ile Demiri.
Festivali nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e institucioneve dhe sponsorëve që u kujdesën për logjistikën, akomodimin dhe ambientet mikpritëse: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Kosovës, Komuna e Fushë Kosovës, Stone Castle – sponsor për pije, Holiday Resort Buquku – ushqim dhe akomodim dhe Flori Gallery dhe Prishtina Mall – mikpritje dhe hapësira ekspozuese.
Publiku ftohet të vizitojë ekspozitën deri më 30 shtator 2025 dhe të përjetojë nga afër këtë bashkëdyzim unik të kulturave, ngjyrave dhe krijimtarisë artistike.