U kërcënua se do t’i publikohen videot intime, arrestohen dy të dyshuar

Prishtinë | 29 Gus 2024 | 12:17 | Nga Ekonomia Online

Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka realizuar një aksion në dy lokacione në Pejë dhe Klinë, i cili u zhvillua pas hetimeve disa mujore me dyshimin se persona të dyshuar janë duke kryer veprat penale të mashtrimit dhe shantazhit përmes internetit.

Në këtë operacion janë arrestuar dy persona të dyshuar, një mashkull dhe një femër me inicialet T.B., dhe dhe F.B.

Ndërkaq, në cilësi të provave janë sekuestruar: Një veturë, dëshmi të transaksioneve nga unionet financiare, dy telefona mobil, dy revole, tetë copë municion dhe një maskë.

Sipas policisë, i dyshuari kryesor në këtë rast ka përdorur rrjetet sociale duke përdorur emër dhe fotografi personale të rrejshme për të gjetur dhe joshur viktimat. Motivi kryesor i joshjes ka qenë lidhje dashurie. Gjatë komunikimit viktima ka shkëmbyer me të dyshuarin, përveç tjerash, edhe fotografi dhe video intime, transmeton Klankosova.tv.

“Me qëllim të zhvatjes financiare të viktimës, i dyshuari kryesor ka përdorur arsyetime të ndryshme duke u thirrur në atë se të hollat i duhen për shërim të anëtarëve të ngushtë të familjes të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, pastaj për të dërguar trupin e pajetë të familjarit të ngushtë në Kosovë si dhe arsyetime tjera të ngjashme. Të dyshuarit kanë arritur të mashtrojnë viktimën e cila i ka dërguar të dyshuarit para përmes unioneve financiare”.

Në momentin që viktima ka kuptuar se është mashtruar, i dyshuari e ka shantazhuar por edhe kanosur se nëse raporton rastin në polici do t’ia publikoj fotografitë dhe videot intime.

“Të dyshuarit me veprimet e tyre kanë vënë në lajthim dhe kanë mashtruar viktimën shtetase e huaj (por e nacionalitetit shqiptar) me ç ‘rast dëmi i shkaktuar kap vlerën mbi 80 mijë dollar amerikanë”.

Dyshohet se numri i viktimave në këtë rast, shtetase të huaja (por të nacionalitetit shqiptar), është më shumë se një.

Pas marrjes në pyetje, dy të dyshuarit me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dërgohen në mbajtje prej 48 orëve.

Të ngjashme