U konsiderua si komunë shembull nga Instituti, flet kryetari i Suharekës

Prishtinë | 19 Mar 2020 | 14:55 | Nga Ekonomia Online

Bali Muharremaj, kryetari i Komunës së Suharekës, e cila sot mori lëvdata nga IKSHPK-ja për organizimin e gjendjes me koronavirus (COVID-19), ka thënë se gjendja në komunën që ai udhëheq “është stabile dhe nën kontroll”.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, u bëri sot thirrje të gjitha komunave të Kosovës që të ndjekin shembullin e Suharekës, lidhur me menaxhimin e krizës me koronavirus.

“Ndiqeni shembullin e Suharekës. Evidentoni mysafirët që t’i presim sa më mirë. T’i mbrojmë nga Covid-19 duke i uruar qëndrim të këndshëm në shtëpitë e tyre në vetëkarantinë”, u shpreh Ramadani.

Për këto masa, në një lidhje telefonike me Insajderin, tregoi sot Bali Muharremaj, kreu i Komunës së Suharekës. Ai tha se në Suharekë nuk ka panik.

“Jam në terren nëpër markete, barnatore. Sa i përket Suharekës, nuk ka nevojë për panik. Marketet janë të furnizuara dhe mall ka aty. Në dy tre vende u takova edhe me ATK-në dhe nuk ka as rritje të çmimeve. Ka bukë edhe nëpër furra, si dhe janë duke shpërndarë miell nëpër pjesë të ndryshme të qytetit”, u shpreh Muharremaj.

Muharremaj nënvizoi se Forca e Sigurisë së Kosovës ka vendosur të mërkurën një tendë në qytetin e Suharekës, e cila në rast të nevojës do të përdorej si karantinë.

“Dje e kemi vendosur shatorrin që ka ardhur nga FSK-ja, por nuk kemi ende nevojë për vendosjen e njerëzve në karantinë. I kemi diku 120 njerëz që kanë ardhur nga Perëndimi. I kemi shënimet zyrtare për secilin prej tyre”, ka thënë kreu i Suharekës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme