Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka mbajtur takimin e parë konstituiv të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ku në praninë e 5 anëtarëve vendorë të këtij Këshilli dhe në komunikim të drejtpërdrejtë (online) me 3 anëtarët ndërkombëtarë, me shumicë të votave, kryetar i KShC-së u zgjodh Gazmend Luboteni.
Ministri Bytyqi, me këtë rast, ka uruar anëtarët e KShC-së për detyrën e re, për të cilën tha se është angazhim sa i rëndësishëm aq edhe me punë dhe përgjegjësi të lartë karshi interesave të komunitetit arsimor dhe qytetarëve të Kosovës.
Mbledhjen konstituive, ministri Bytyqi e drejtoi bazuar në rregulloren e KShC-së, Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Udhëzimin Administrativ, sipas të cilit ministrit të Arsimit i takon të marrë pjesë në mbledhjen e parë konstituive deri në momentin kur zgjidhet kryetari i Këshillit.
Ministri Bytyqi theksoi se, takimi do të vazhdojë me pikat tjera të rendit të ditës, ku do të zgjidhet nënkryetari dhe do të përcaktohet mandati 3 apo 5 vjeçar i anëtarëve vendorë me anë të hedhjes së shortit, ndërsa anëtarët ndërkombëtarë do të kenë mandat 5 vjeçar.
Anëtarët e KShC-së në prani të Ministrit lexuan deklaratën e betimit, me të cilën u zotuan se do të kryejnë me përkushtim dhe përgjegjësi detyrën që iu është besuar, ndërsa gjatë gjithë takimit komunikimi me anëtarët ndërkombëtarë të KShC-së ka qenë i drejtpërdrejtë.
Në këtë takim, për shkak të udhëtimit jashtë vendit nuk ishte prezentë anëtarja Arta Jakupi, për të cilën u njoftuan edhe anëtarët ndërkombëtarë, të cilët shprehën pëlqimin që KShC mund të konstituohet në mungesë të arsyeshme të një anëtari.