“U kthyet në Amerikë me zhgënjim të thellë e zemër të thyer” – Këshilltarja me postim të ndjerë për ministrin e dorëhequr

Prishtinë | 12 Tet 2022 | 17:20 | Nga Ekonomia Online

Lumturije Bekaj, këshilltare e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili dha dorëheqje javën e kaluar, ka bërë një postim të ndjerë në Facebookun e saj, duke e lavdëruar ish-shefin e saj për “sakrificën” që të vinte në Kosovë.

“Ne të gjithë e dijmë se erdhe duke lënë të gjitha, vetëm sepse e deshët dhe e doni Kosovën dhe qytetarët e saj, vetëm e vetëm për t’u shërbyer atyre”, ka shkruar ajo.

Në postim, ajo ka lënë të kuptohet se Latifi, të cilin e ka cilësuar si “kuadër, intelektual dhe profesionist i klasit botëror” u detyrua të merrte “vendimin më të vështirë në jetë” pasi deshi t’ua shkulë rrënjët e keqmenaxhimit dhe keqpërdorimeve, pa dhënë më shumë detaje se kush janë ata persona dhe nëse janë ende pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë.

POSTIMI I PLOTË:

Prof. Dr. Rifat Latifi

Ashtu siç jeni deklaruar në dorëheqjen tuaj, e që ishte vendimi më i vështirë në jetën tënde, u kthyet për në Amerikë me zhgënjim të thellë dhe me zemër të thyer.

Ne të gjithë e dijmë se erdhe duke lënë të gjitha, vetëm sepse e deshët dhe e doni Kosovën dhe qytetarët e saj, vetëm e vetëm për t’u shërbyer atyre.

Për ne si kabinet i yti, Dr. Antonin, Dr. Lumnijen, Liridonin, Kujtimin dhe mua, ishte nder dhe privilegj që ishim pranë teje dhe punuam bashkë për gjithë këtë kohë!

Prof. Rifat, qytetarët e Kosovës të duan dhe të respektojnë, por sigurisht se kjo nuk vlen edhe për ata që u mundove t’ua shkulësh rrënjët e keqmenaxhimit dhe keqpërdorimeve.

Për ne si kabinet dhe për qytetarët e Kosovës, gjithmonë do të mbetesh shëmbull dhe udhërrëfyes se si duhet atdheu me idealizëm të pashoq!

Ne e dijmë se prapë do të jesh në shërbim të atdheut, jo si Ministër i Shëndetësisë, por si kuadër, intelektual dhe profesionist i klasit botëror!

Ne të gjithë bashkë do të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt destinacionit të njëjtë, por me mjete tjera, sepse kemi një LIDER, që ka bërë mrekulli nëpër botë, dhe ka nisur atë që shumë prej neve as nuk kanë dëshiruar, as nuk kanë guxuar ta mendojnë – transformimin e shëndetësisë së vendit tonë!

Për të gjitha që ke bërë gjatë kësaj kohe, të përulemi me dinjitet dhe respekt!

Vazhdojmë rrugëtimin bashkë!

Foto: Nga punimet e Kongresit të Kirurgëve të Kosovës!

Të ngjashme