U mbajt manifestimi “Ditët e Shqipes”: “Beteja e Koshares çau murin e padrejtë të ndarjes shqiptaro-shqiptare”

Prishtinë | 09 Pri 2025 | 13:17 | Nga Gzim Mujaj

Beteja e Koshares është simbol i guximit të jashtëzakonshëm dhe organizimit shumë të lartë strategjik dhe luftarak, tha në emër të presidentes Vjosa Osmani, Donika Kada Bujupi, në manifestimin “Ditët e Shqipes”, në 26- vjetorin e Betejës së Koshares, raporton Ekonomia Online.  

“Sot jemi mbledhur këtu për të përkujtuar dhe nderuar njërën nga faqet më të ndritura në historinë tonë të re, betejën e lavdishme të Koshares, e cila shënon jo vetëm një kthesë vendimtare në luftën tonë çlirimtare, por edhe një fitore historike ndaj padrejtësive shekullore. Në këtë ditë të shenjtë më 9 prill 1999 filloj beteja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e udhëhequr nga strategu ushtarak dhe heroi ynë kombëtar Agim Ramadani. Kjo betejë çau murin e padrejtë të ndarjes shqiptaro-shqiptare dhe theu kufirin e dhunshëm që na ndau për gati një shekull… Beteja e Koshares është simbol i guximit të jashtëzakonshëm dhe organizimit shumë të lartë strategjik e luftarak. Në këtë betejë ranë heroikisht 114 luftëtarë të brigades 138 “Agim Ramadani”, tha Kadaj-Bujupi.

Ndërsa, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se në Betejën e Koshares u thye ajo që ndante zemrat tona, kufiri shqiptaro – shqiptar.

“Është nder të bashkohemi në vendin, ku ruhet historia jonë, ku dëshmohet historia jonë, në vendin ku pushojnë heronjtë tanë, të kombit tonë. Të gjithë ju që qëndroni në këtë vend e ndieni se sa e vështirë është rruga jonë e lirisë dhe se si erdhëm këtu. Një mënyrë ndryshe të shpjegojmë këtë është të shpjegojmë figurat e para që kujtojmë, nëse marrim Agim Ramadanin, një shqiptar intelekual, patriot; Salih Çeku, po ashtu njeri me vizion; nëse marrim Xhemajl Fetahun shohim familje tradicionale, patriot. Këto tri shtylla i gjeni te të gjitha këta që kujtojmë sot. A ka mënyrë tjetër të shpjegohet kjo ditë? Janë thyer mitet, u thye edhe miti më i keq: ajo që ndante zemrat tona, kufirin shqiptaro – shqiptar. Në pak ditë luftë u vra një numër kaq i madh i luftëtarëve. Në këtë ditë ne vërtet e ndiejmë një krenari se me këtë ditë u bashkua edhe Kushtetuta e shtetit tonë. Gëzuar Dita e Kushtetutës… Një mësim nga e shkuara nuk bën te harrohet kurrë: të krijojmë aleanca të sigurisë. Është e arritur e madhe dhe nëse dimë t’i ruajmë e forcojmë këto aleanca nuk përseritet historia dhe nëse mbesim jashtë, mund që  historia të kthehet”, tha Haradinaj.

Komandanti i Brigadës 138, Rrustem Berisha, tha se bashkëpunimi dhe koordinimi në frontin e Koshares ishte ndër faktorët, që ndikoi në suksesin e kësaj beteje.

“Beteja e Koshares ishte ideuar dhe planifikuar nga ushtarakët e kësaj beteje dhe dolën të sakta parashikimet, vlerësimet, analizat dhe vendimet e kësaj beteje. Bashkëpunimi dhe koordinimi në frontin e Koshares ishte ndër faktorët kryesorë, që ndikoi në suksesin e kësaj beteje. Ky ishte një bashkëpunim i shumëfishtë, që kishte filluar që nga përgatitja, zhvillimi e deri në përfundimin e luftës”, tha Berisha. /Ekonomia Online/

Të ngjashme