Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt takimi i radhës i Bordit Ekzekutiv i Menaxhimit të Integruar të Kufirit, i udhëhequr nga Koordinatori nacional për MIK, njëherit zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha.
Zëvendësministri i ministrisë së Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, si kryesues i këtij bordi dhe në cilësinë e Koordinatorit Nacional për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (MIK), i falënderoi anëtarët e Bordit Ekzekutiv për angazhimin e tyre në zbatimin e aktiviteteve që rrjedhin nga Strategjia dhe Plani i veprimit për MIK.
Zëvendësministri Hoxha, gjatë këtij takimi konstatoi progresin që është bërë në implementimin e konceptit të Menaxhimit të Integruar të Kufirit dhe po ashtu kërkoi nga të gjitha autoritetet e MIK-ut, siç janë Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, që përmes një angazhimi të përbashkët të lehtësojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, si një element kyç që bazohet BE-ja, e që ka të bëjë me sistemin efektiv të kontrollit dhe menaxhimit kufitar.
Po ashtu, zëvendësministri Hoxha gjatë këtij takimi, kërkoi nga autoritetet e MIK-ut që të vazhdojë ngritja e performances në Qendrën Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit (QKMK) dhe në këtë kontekst u dakorduan, që të funksionojë grupin punues për analizimin e gjendjes në QKMK dhe daljen me rekomandime specifike në drejtim të implementimit të planit zhvillimor të qendrës.
Strategjia dhe Plani i Veprimet për MIK janë dokumente fleksibile të cilat mund të plotësohen dhe ndryshohen në vazhdimësi në aspektin e zbatimit gradual të parametrave, objektivave, veprimeve dhe proceseve të punës, në sferën e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve, duke iu përshtatur rregullave dhe mundësive në përputhje me gjendjen në terren, interesat strategjike të Republikës së Kosovës dhe ndryshimeve brenda standardeve të BE-së.