Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi i Këshillit, Blerim Isufaj, ka mbajtur sot takimin e 154-të me radhë, me ç’rast ka shqyrtuar dhe miratuar një sërë çështjesh për mbarëvajtjen e sistemit prokurorial.
Në takim u miratuan unanimisht dy udhëzime administrative: UA për menaxhimin e pasurisë jofinanciare të Këshillit Prokurorial të Kosovës, me të cilin vendosen standarde të larta të menaxhimit të pasurive jofinanciare dhe bazohet në praktikat më të mira të kësaj fushe, si dhe UA për përdorimin e automjeteve zyrtare të sistemit prokurorial, përmes të cilit do të krijohen mundësi për racionalizimin e shpenzimeve dhe kushte të përshtatshme për punë në sistemin prokurorial.
U miratua edhe Raporti i Komisionit për vlerësimin e performansës së 11 prokurorëve me mandat të përhershëm dhe rivlerësimi i një prokurori.
Gjithashtu, Kryesuesi, Blerim Isufaj, ka vlerësuar lart të arriturat e prezantuara në Raportin i zbatimit të aktiviteteve të Planit Strategjik për gjashtëmujorin e parë (janar-qershor) të vitit 2018.
KPK-ja miratoi edhe kërkesat e katër prokurorëve për shkollim njëvjeçar në Programin Master në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, program ky i orientuar në fusha të specializuara prokuroriale.
Në fund të takimit të Këshillit ka raportuar edhe Grupi për monitorimin e zbatimit të aktiviteteve të Planit Strategjik, për periudhën janar-qershor 2018, si dhe u shqyrtuan disa kërkesa të prokurorëve.