Mario Vargas Llosa (u lind më 28 mars, 1936) u nda nga jeta në Lima, Peru, në moshën 89-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga familja e tij, e cila njoftoi se , sipas dëshirës së shkrimtarit, nuk do të mbahet asnjë ceremoni publike.
Vargas Llosa ishte një nga figurat më të mëdha të letërsisë bashkëkohore, fitues i Çmimit Nobel në Letërsi në vitin 2010. Ai ishte një nga përfaqësuesit kryesorë të “Boom-it të Letërsisë Latineamerikane”, një periudhë në vitet 1960–1970 kur autorë si Gabriel García Márquez, Julio Cortázar dhe Carlos Fuentes patën sukses të madh ndërkombëtar. Romanet e tij shpesh trajtojnë temat e pushtetit, korrupsionit, konflikteve politike dhe jetës sociale në Amerikën Latine.
Përveç veprimtarisë letrare, Vargas Llosa ishte aktiv edhe në politikë. Në vitin 1990, ai kandidoi për president të Perusë, por humbi ndaj Alberto Fujimorit. Ai ishte i njohur për qëndrimet e tij liberale në ekonomi dhe kritikat ndaj autoritarizmit – si të majtë ashtu edhe të djathtë .
Vdekja e tij ka shkaktuar reagime të shumta nga liderë politikë dhe figura kulturore në mbarë botën, të cilët kanë theksuar ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në letërsinë dhe mendimin bashkëkohor.
Ndër veprat e tij duhet veçuar edhe QYTETI DHE QENTË (1963), një roman tronditës mbi jetën në një akademi ushtarake në Lima. Kritikë ndaj autoritarizmit dhe dhunës institucionale. SHTËPIA E GJELBËR (1966), një rrëfim kompleks dhe shumëplanësh për jetën në qytete dhe pyje të Perusë. Një ndër romanet më eksperimentale të tij.
BISEDË NË KATEDRALE (1969), një analizë e thellë e diktaturës në Peru dhe ndikimit të saj mbi jetën e zakonshme.
FESTA E DHISË (2000), një roman i fuqishëm mbi regjimin e diktatorit Rafael Trujillo në Republikën Domenikane. Shumë i vlerësuar ndërkombëtarisht.
ËNDRRA E KELTIT (2010), një biografi e romanizuar mbi Roger Casement, një diplomat britanik që denoncoi mizoritë koloniale etj
Ka fituar gjithashtu edhe shumë çmime të tjera, si: Princi i Asturias, Çmimi Cervantes, Çmime letrare ndërkombëtare në Francë, Spanjë, SHBA, Itali, etj.