Një 30 vjeçar është arrestuar në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë në segmentin rrugor në Vushtrri, pasi gënjeu se është person zyrtar i FSK-së.
Policia njofton përmes një komunikate se gjatë kontrollit në orët e mbrëmjes së 30 majit, ka ndaluar një veturë me targa të Serbisë në të cilën ndodhej i dyshuari dhe një dëshmitar.
I dyshuari ka paraqitur një dokument si person zyrtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në veturën e tij janë gjetur shtatë helmeta të punës ku pesë prej tyre me mbishkrim të shkronjës (Z).
“Gjatë verifikimit ka rezultuar se i dyshuari ka paraqitur dokument të rremë, si prova materiale nga i dyshuari janë sekuestruar kartela dhe një çantë krahu. Për veprimet e ndërmarra është informuar prokurori i rastit, i cili ka urdhëruar që rasti ndaj të dyshuarit të iniciohet për vepër penale “Prezantim i rremë si person zyrtarë” ndërsa pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet tutje në komunikatë.