U përurua Çerdhja e re për 60 fëmijë në Fushë Kosovë

Prishtinë | 29 Gus 2025 | 14:34 | Nga Ekonomia Online

U përurua Çerdhja e fëmijëve në Fushë Kosovë, investim i Ministrisë së Arsimit , në vlerë prej rreth 415 mijë euro, raporton Ekonomia Online.

Kjo çerdhe për 60 fëmijë në një hapësirë moderne prej 750 m², siç u tha, është e pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për kujdesin dhe zhvillimin e fëmijëve tanë të gjithë hapësirat në këtë çerdhe të re.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se vetëm gjatë këtij mandati qeverisës në komunën e Fushë Kosovës, në fushën e arsimit janë bërë investime kapitale me vlerë prej 5.6 milionë euro, duke shtuar se treguan kështu përkushtimin për gjeneratat e reja, të cilat duhet të kenë arsim cilësor dhe mirëqenie të garantuar.

“Të investosh në çerdhe për fëmijë dhe edukim të hershëm, do të thotë të investosh në të ardhmen e shtetit. Pikërisht në vitet e para të jetës aty ku hidhen themelet për zhvillimin, lumturinë dhe suksesin e fëmijëve të Kosovës, nesër profesionistë e kuadro, që do të udhëheqin institucionet, ekonominë, shoqërinë, politikën e kështu me radhë”, tha Kurti.

Në përurim mori pjesë edhe ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Kurti njoftoi se për ndërtimin edhe të një çerdhe tjetër publike, me vlerë mbi 1.2 milionë euro, po në Fushë Kosovë.

Pas përurimit të Çerdhes së fëmijëvë, kryeministri në detyrë Kurti vizitën e tij e vazhdoi me vënien e gurthemelit të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët, po ashtu në Fushë Kosovë, investim i Ministrisë së Arsimit, me një sipërfaqe prej 8,000 metra katror, për 1500 nxënës, me vlerë të investimit prej 3.8 milionë euro.

Të ngjashme