U përurua objekti i ri i shkollës në Lladrovc të Malishevës

Malishevë | 09 Qer 2020 | 14:58 | Nga Ekonomia Online

Në prag të shënimit të 16 Qershorit, Ditës së Dëshmorëve dhe Ditës së Çlirimit të Malishevës dhe një ditë para fillimit të procesit mësimor për klasat e nënta, është hapur edhe një objekt i ri shkollor në komunën e Malishevës.

Nga sot, nxënësit e shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Afrim Buçaj” në Lladrovc, do të mësojnë në objekt të ri shkollor dhe në kushte moderne të mësimit.

Ndonëse për shkak të situatës me pandemi, u organizua një ceremoni e thjeshtë e përurimit, në të cilën morën pjesë familje të dëshmorëve nga fshati Lladrovc, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, nënkryetari Hajdin Berisha, drejtori i DAE, Blerim Thaçi, qytetarë të Lladrovcit, mësues dhe nxënës të kësaj shkolle.

Kryetari Begaj mes tjerash, në fjalën e rastit rikujtoi se kjo shkollë po përurohet në një fshat me traditë të hershme në arsimin shqip, përderisa foli edhe për dëshmorët, emrin e njërit prej të cilit e mbanë edhe shkolla, të ish-mësuesit Afrim Buçaj.

Drejtori i shkollës, Mursel Buçaj, fillimisht foli për historikun e kësaj shkolle, e më pas për të gjitha të arriturat e shkollës.

Shiritin e përurimit e prenë nëna e dëshmorët të kombit Avni Buçaj, zonja Mendehie Buçaj, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, drejtori Komunal i Arsimit, Blerim Thaçi, drejtori i shkollës, Mursel Buçaj dhe një nxënës i kësaj shkolle.

Shkolla ka 13 dhoma mësimi, bibliotekën, sallën dhe 249 nxënës.

Të ngjashme