Ndonëse jemi në fund të muajit mars, Kosova ende nuk ka marrë asnjë dozë të vaksinës Anti-COVID nga COVAX. Qeveria e Kosovës kishte premtuar se këtë muaj do të vinë 33 mijë doza të vaksinës nga kjo aleancë, megjithatë nuk është dhënë ndonjë datë e saktë për furnizim. Drejtorë të Shëndetësisë në komuna thonë se numri i të infektuarve dhe hospitalizuarve me koronavirus është duke u rritur dhe se po presin furnizimin me vaksina, për të imunizuar qytetarët, raporton Gazeta Express.
10 ditë para përfundimit të muajit mars, Kosova vazhdon të mos ketë asnjë dozë të vaksinës Anti-COVID.
Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë kishin deklaruar se vendi do të furnizohet këtë muaj me 33 mijë vaksina Anti-COVID nga COVAX, ndërsa deri në maj, vendi do të furnizohej me gjithsej 100 mijë e 800 vaksina.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se fokusi është që vaksinimi të filloj sa më parë në Kosovë.
As nga kjo ministri e as nga Qeveria nuk kanë dhënë ndonjë datë se kur do të furnizohet vendi.
Ndërsa, zëdhënës në Aleancën e Vaksinave Gavi kanë thënë për Express,se janë në kontakt me ekonomitë pjesëmarrëse sa i përket furnizimit, ndërsa koha kur do të bëhet furnizimi me vaksina në to, do të bëhet publik ditëve në vijim.
Derisa Kosova nuk ka marrë asnjë dozë të vaksinës Anti-COVID, drejtorë të shëndetësisë kanë thënë për gazetën se është rritur numri i të hospitalizuarve me COVID-19 dhe se gjendja është më e rënduar sa i përket pandemisë.
Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Gjakovës, Afërdita Spahiu-Shllaku, ka thënë se në këtë komunë ka dukshëm më shumë rritje të rasteve të infektuara me koronavirus.
“Ne kemi rritje të rasteve dukshëm më shumë. Është një rritje më e madhe në krahasim me para dy jave kur kemi pasur një numër më të vogël të hospitalizuarve”, ka thënë ajo.
Edhe nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, i ka thënë gazetës se gjendja sa i përket pandemisë është më shqetësuese së fundmi.
Ai ka thënë se kësisoj po vështirësohet edhe puna e punëtorëve shëndetësor.
“Gjendja është shqetësuese në Gjilan. Në 10 ditëshin e fundit kemi një ngritje më të madhe të rasteve të infektuara dhe po vështirësohet puna e punëtorëve shëndetësorë”, ka thënë ai.
Përndryshe, Ismajli ka thënë se tashmë janë përgatitur për dhënien e vaksinave Anti-COVID kur Kosova të furnizohet me to.
Ndërsa, edhe kryetari i Komunës së Ferizajt ka thënë për Express se janë të përgatitur për dhënien e vaksinës.
Ai ka thënë se nga furnizimi me 33 mijë vaksina të COVAX, për Ferizajn janë premtuar 2 mijë doza.
“Nga 33 000 doza të vaksinave që do vijnë në Kosovë, 2000 janë të ndara për Komunën e Ferizajt.Vaksinimi do të bëhet sipas kategorive: Deri më tani janë rreth 900 qytetar më të moshuar se 65 vjeç dhe të sëmurë kronik të cilët janë lajmëruar në QKMF Ferizaj për tu vaksinuar”, ka deklaruar ai.
Aliu ka thënë se punëtorët shëndetësorë do të jenë ata që do të vaksinohen të parët, pastaj pacientët e dializës, qytetarë më të moshuar se 65 vjeç dhe pacientët me dy e më shumë sëmundje kronike.
Ndonëse në disa komuna kanë filluar përgatitjet për vaksinim, Kosova po vazhdon të jetë një ndër vendet e vetme që ende nuk është furnizuar me asnjë dozë të saj.
Infektologët kanë thënë se duhet të bëhet urgjentisht vaksinimi i qytetarëve për ta menaxhuar gjendjen me pandeminë