U pretendua për rrahje të një qytetari rom nga 5 policë në Graçanicë, IPK-ja po e heton rastin

Prishtinë | 27 Gus 2023 | 14:30 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar se ka pranuar ankesë në të cilën pretendohet se një qytetar i komunitetit rom më 18 gusht është rrahur brutalisht nga 4-5 zyrtarë policorë brenda stacionit policor në Graçanicë.

Organizata Opre Roma Kosova ka paralajmëruar protestë të martën para stacionit policor të Graçanicës.

IPK-ja ka thënë se rasti është në fazën e hetimit preliminar.

“IPK-ja e konfirmon se ka pranuar ankesën nga qytetari në fjalë dhe e njëjta është në fazën e hetimit preliminar. Veprimet tjera do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat nga hetimi dhe në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së”, është thënë në një përgjigje për KOHËN nga IPK-ja.

Opre Roma Kosova ka thënë se Burhan Ibrahimoviq ishte dërguar në stacion policor pas akuzave për një konflikt me një banore të Graçanicës. Organizata ka pretenduar se Ibrahimoviq është rrahur brutalisht nga Policia dhe ai pas lirimit nga paraburgimi është dashur të kërkojë ndihmë mjekësore.

“Burhan Ibrahimovicit, me të mbërritur në stacionin e policisë, në mënyrë tronditëse iu mohua mundësia për të dhënë deklaratën e tij në lidhje me konfliktin e supozuar. Në vend që t’i jepej një shans i drejtë për të paraqitur këndvështrimin e tij, atij iu dha një gjobë – veprim ky që ngriti menjëherë shqetësimet për qëllimet e autoriteteve. Situata mori një kthesë edhe më të rëndë kur një grup prej 4-5 zyrtarësh policor në stacionin policor të Graçanicës e shoqëruan Burhanin në një dhomë të veçantë. Në atë që mund të përshkruhet vetëm si një shpërdorim i tmerrshëm i pushtetit, ai iu nënshtrua dhunës brutale fizike, një shkelje që shpërfill në mënyrë flagrante të drejtat e tij themelore njerëzore. Incidenti e la Burhanin të rrahur dhe të mavijosur, si fizikisht ashtu edhe emocionalisht. Pas lirimit të tij nga paraburgimi policor më 19 gusht 2023, Ibrahimovic kërkoi kujdes të menjëhershëm mjekësor në një spital lokal. Lëndimet e tij janë dokumentuar nga mjekët, duke vërtetuar peshën e dhunës që ka pësuar. Në përpjekje për të siguruar drejtësi dhe llogaridhënie, incidenti është denoncuar në Inspektoratin Policor të Kosovës”, është thënë nga Opre Roma Kosova, që ka njoftuar edhe për protestën.

Opre Roma Kosova ka bërë thirrje që në protestë të bashkohen edhe autoritetet lokale, organizatat ndërkombëtare e grupet tjera të shoqërisë civile.

“Opre Roma Kosova dënon me vendosmëri këtë akt dhune dhe solidarizohet me Burhan Ibrahimovic dhe gjithë komunitetin rom në Kosovë. Ky incident nënvizon çështjet sistematike brenda kuadrit të zbatimit të ligjit dhe nxjerr në pah nevojën urgjente për reforma. Lëvizja beson fuqishëm se çdo individ, pavarësisht nga prejardhja e tij, meriton të trajtohet me dinjitet, drejtësi dhe respekt. Protesta paqësore do të mbahet para stacionit policor të Graçanicës, duke filluar nga ora 11:00. Opre Roma Kosova kërkon pjesëmarrjen dhe mbështetjen e autoriteteve lokale, organizatave ndërkombëtare, mediave, grupeve të shoqërisë civile dhe qytetarëve të interesuar që të qëndrojnë së bashku për drejtësi, barazi dhe të drejtat e njeriut”, është thënë nga Opre Roma Kosova.

Të ngjashme